E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët reagojnë ndaj sulmeve të SHBA-së në Iran: Thirrje për diplomaci dhe ulje tensionesh

Pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj tre centraleve bërthamore të Iranit, reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar, me shumicën e vendeve që bëjnë thirrje për qetësi, ulje të tensioneve dhe zgjidhje diplomatike të krizës që po përshkallëzohet në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se është “thellësisht i alarmuar” nga përdorimi i forcës dhe paralajmëroi për rrezikun e përhapjes së konfliktit. “Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë jashtë kontrollit,” tha ai, duke theksuar se “nuk ka zgjidhje ushtarake, diplomacia është rruga e vetme përpara.”

Në Vatikan, Papa Leoni XIV bëri një thirrje të fortë për paqe gjatë lutjes së tij të së dielës Angelus në sheshin e Shën Pjetrit, duke i bërë thirrje diplomacisë ndërkombëtare të “ulin armët”.

Pas një referimi të hapur ndaj situatës “alarmuese” në Iran, Papa theksoi se “sot më shumë se kurrë, njerëzimi bërtet dhe thërret paqen dhe është një britmë që kërkon arsye dhe nuk duhet të shuhet”.

Papa Leoni i bëri thirrje çdo anëtari të bashkësisë ndërkombëtare të marrë përsipër përgjegjësinë e tij morale për të “ndaluar tragjedinë e luftës përpara se ajo të shndërrohet në një humnerë të pariparueshme”.

Libani kërkoi neutralitet të rreptë, me kryeministrin Navaf Salam që deklaroi se vendi duhet të qëndrojë jashtë përshkallëzimeve rajonale.

Edhe kryeministri britanik Keir Starmer ka kërkuar që situata të qetësohet përmes mjeteve diplomatike dhe Irani të ulet në tryezën e negociatave.

“Situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe stabiliteti në rajon është një përparësi. I bëjmë thirrje Iranit që të rikthehet në tryezën e negociatave dhe të gjejë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund krizës”, tha Starmer.

Zelanda e Re, përmes ministrit të jashtëm Winston Peters, bëri thirrje që “të gjitha palët të kthehen në tryezën e bisedimeve” dhe tha se kjo është “kriza më serioze me të cilën jam përballur ndonjëherë”.

Kina, përmes një artikulli të CGTN-së, vuri në pikëpyetje veprimet e SHBA-së, duke paralajmëruar për “pasoja të padëshiruara” dhe duke e krahasuar situatën me pushtimin amerikan të Irakut më 2003.

Koreja e Jugut zhvilloi një takim të nivelit të lartë për të shqyrtuar ndikimet e mundshme në sigurinë dhe ekonominë kombëtare, ndërsa Japonia po ndjek zhvillimet me vëmendje të shtuar, me kryeministrin Shigeru Ishiba që thirri një takim urgjent të kabinetit.

Australia, e cila kishte evakuuar ambasadën e saj nga Teherani para sulmit, theksoi nevojën për dialog dhe e mbështeti mesazhin e Trump për paqe, duke paralajmëruar gjithashtu për paqëndrueshmëri në rritje në rajon.

Venezuela përmes Ministrit të Jashtëm, Yvan Gil, e quajti sulmin një “agresion të papranueshëm ushtarak” dhe akuzoi SHBA-në për veprim në bashkëpunim me Izraelin. Ai kërkoi “ndërprerje të menjëhershme të armiqësive”.

Kuba dënoi ashpër bombardimet, duke i quajtur një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe një “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së”, u shpreh presidenti kubanez, Miguel Díaz-Canel.

Meksika mbajti një qëndrim neutral, duke bërë thirrje për “dialog diplomatik” dhe duke kërkuar ulje të menjëhershme të tensioneve. “Rivendosja e bashkëjetesës paqësore midis shteteve të rajonit është përparësia më e lartë,” thuhet në një deklaratë lëshuar nga ministri i jashtëm.

Iraku dënoi ashpër veprimin amerikan, duke e cilësuar si një “kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë rajonale”. Zëdhënësi i qeverisë, Bassem al-Awadi, paralajmëroi se sulme të tilla mund të përhapin konfliktin përtej kufijve kombëtarë dhe të kërcënojnë stabilitetin global. Ai bëri thirrje për zgjidhje diplomatike urgjente.

Omani, një ndër ndërmjetësit në rajon, dënoi gjithashtu sulmet dhe i quajti “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara”. Ministria e Jashtme omaneze paralajmëroi për “zgjerim të fushës së konfliktit”.

Arabia Saudite, megjithëse nuk e dënoi drejtpërdrejt sulmin, shprehu “shqetësim të thellë” dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen dhe të shmangin përshkallëzimin. Deklarata saudite u fokusua në rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal.

Katari tha se “ndjen keqardhje” për përshkallëzimin e konfliktit dhe i kërkoi palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, duke theksuar se popujt e rajonit nuk mund të përballojnë një tjetër tragjedi humanitare.

Italia e pranoi rrezikun që paraqesin objektet bërthamore të Iranit, por shpreson se ky veprim do të nxisë diplomacinë dhe uljen e tensioneve. Ministri i Jashtëm italian paralajmëroi për pasoja të mundshme mbi sigurinë bërthamore dhe njoftoi se do të zhvillojë një bisedë me kreun e IAEA-së, Rafael Mariano Grossi. Ai shtoi se Italia po ndihmon qytetarët e saj të largohen nga Irani dhe Izraeli.

Ministria e Jashtme ruse i quajti sulmet një “shkelje serioze të Kartës së OKB-së dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit”, duke i dënuar “fuqishëm” veprimet amerikane si përshkallëzim të rrezikshëm të krizës në Lindjen e Mesme.

Dmitry Medvedev, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë të Presidentit Vladimir Putin, shkoi më tej duke thënë se disa vende janë të gatshme të furnizojnë Iranin me armë bërthamore. Ai nuk përmendi emra, por tha se sulmet e SHBA-së kishin shkaktuar “dëme minimale” dhe nuk do ta ndalnin Teheranin nga ndjekja e ambicieve të tij bërthamore.

Holanda, që po përgatitet të presë një samit të NATO-s këtë javë ku do të marrë pjesë edhe Presidenti Trump, reagoi me shqetësim. Ministri i Jashtëm Caspar Veldkamp njoftoi se këshilli i sigurisë kombëtare do të mblidhet për të analizuar situatën. Ai e cilësoi sulmin amerikan si “një përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë shqetësuese”.

Japonia bëri thirrje për qetësim urgjent. Kryeministri Shigeru Ishiba tha se është thelbësore të parandalohet zhvillimi i armëve bërthamore nga Irani, por shmangu të komentonte nëse e mbështet ndërhyrjen amerikane, duke e lënë të paqartë pozicionin zyrtar të Tokios.

Ndërkohë, vetë Irani i është drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kërkuar një mbledhje urgjente për të dënuar sulmet si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe kërcënim për sigurinë globale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›