Trump: Nuk ka lehtësim të sanksioneve ndaj Iranit! Do bisedojmë, por nuk përjashtojmë as sulmet!

Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar kategorikisht raportimet se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Iranit lehtësim të sanksioneve dhe zhbllokimin e fondeve të ngrira, në këmbim të rishikimit të programit të tij bërthamor.
Reagimi i Trump erdhi pasi Axios raportoi, duke cituar zyrtarë amerikanë, se administrata amerikane ishte e gatshme të shqyrtonte lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit, ndërsa ndërmjetësues nga Katari dhe Pakistani po përpiqen të afronin palët drejt një marrëveshjeje.“Axios sapo publikoi një histori se ‘Trump’ i ofroi Iranit lehtësim të sanksioneve dhe fonde të ngrira. Kjo është e pavërtetë. Unë nuk i ofrova asgjë!”, shkroi Trump në Truth Social. Presidenti amerikan e cilësoi raportimin si të rremë dhe kërkoi që ai të tërhiqej menjëherë.
Sipas raportimit të Axios, ndërmjetësuesit nga Katari dhe Pakistani u takuan me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi në Nju Jork, ndërsa pritej që përfaqësuesit e Katarit të zhvillonin kontakte edhe me administratën Trump. Një zyrtar amerikan i përshkroi bisedimet indirekte si “pozitive dhe konstruktive”, duke thënë se Irani kishte treguar fleksibilitet për çështjet bërthamore.Trump ka deklaruar se pret që zyrtarët amerikanë të negociojnë me Iranin gjatë kësaj jave, por ka paralajmëruar gjithashtu se po shqyrton vazhdimisht mundësinë e rifillimit të sulmeve ndaj Iranit.
Ndërkohë, Teherani ka kërkuar disa lëshime nga Uashingtoni, mes tyre përfundimin e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, lehtësimin e sanksioneve ndaj shitjeve të naftës dhe shtrirjen e çdo armëpushimi edhe në Liban.
Këto kërkesa ishin pjesë e një propozimi iranian për një armëpushim shtatëditor, të cilin Trump e kishte refuzuar. Ambasadori amerikan në OKB, Mike Ualtz, tha se Irani kishte kërkuar që të gjitha përfitimet të jepeshin menjëherë, përfshirë lehtësimin e sanksioneve amerikane dhe sanksionet e “snapback”-ut të vendosura nga Kombet e Bashkuara.
Pavarësisht mohimit të fortë të Trump, përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë përmes ndërmjetësimit të Katarit dhe Pakistanit.