E Hënë, 2 Nëntor 2026

Osmani takon zv.ndihmëssekretarin Baker: Kosova është më e sigurt kur qëndron krah Amerikës

Kosova është më e fortë dhe e sigurt krah Amerikës, theksoi të shtunën presidentja Vjosa Osmani pas takimit me Zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes, David Baker.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan te presidentja Osmani erdhi pas disa takimeve me krerë të lartë të vendit, në vazhdën e diskutimeve dypalëshe rreth bashkëpunimit për mbrojtjen dhe sigurinë rajonale.

“Kur Amerika qëndron përkrah nesh, Kosova është më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar. Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe në industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një objektiv strategjik dhe mbështetja e SHBA-ve në këtë proces është jetike,” shkroi znj. Osmani në rrjetet sociale.

Më herët gjatë ditës, z. Baker takoi komandantin e misionit të Forcave Ndërkombëtare të Armatosura në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Enrico Barduani.

“Zoti Baker riafirmoi angazhimin e palëkundur të SHBA-së ndaj misionit të KFOR-it në Kosovë, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal,” njoftoi KFOR.

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Mbrojtjes u prit me nderime të larta shtetërore në Prishtinë, ndërsa zhvilloi një takim edhe me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›