E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump promovon Viktor Orbánin për sekretar të përgjithshëm të OKB-së, Rusia dhe Kina mbështesin kandidaturën e përbashkët

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump thuhet se po shqyrton mundësinë e kandidimit të ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán për postin e sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

trump-orban-mak

Sipas një raportimi të gazetës amerikane “The Wall Street Journal”, zyrtarë të administratës Trump e kanë kontaktuar tashmë Orbánin për të mësuar nëse ai është i interesuar për këtë post dhe e kanë inkurajuar të shqyrtojë mundësinë e kandidimit. Megjithatë, vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.

Ajo që e bën këtë skenar veçanërisht të pazakontë është mundësia që kandidatura e Orbánit të mbështetet njëkohësisht nga tri fuqitë e mëdha: Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina.

Sipas burimeve të cituara nga gazeta, Moska dhe Pekini thuhet se e kanë pritur pozitivisht këtë ide. Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit pranoi se propozimi mund të tingëllojë fillimisht i çuditshëm, por mbështetja e përbashkët e tri vendeve mund t’i japë kandidatit hungarez një avantazh të rëndësishëm.

Zyrtarë amerikanë dhe të një vendi tjetër i thanë gazetës se, kur SHBA-ja, Rusia dhe Kina bashkohen për të mbështetur një nismë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ajo zakonisht ka shanse të mëdha për sukses.

Si mund të sigurojë Orbáni votat në Këshillin e Sigurimit?

Sipas burimeve të cituara nga “The Wall Street Journal”, Orbáni mund të sigurojë relativisht lehtë mbështetjen e tetë prej 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ndërsa arritja e dhjetë votave konsiderohet e mundshme.

Megjithatë, pikëpyetja kryesore lidhet me qëndrimin e Francës dhe Britanisë së Madhe. Të dyja vendet janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe kanë të drejtën e vetos, çka do të thotë se mund ta bllokojnë kandidaturën edhe nëse ajo gëzon mbështetjen e shumicës.

Sipas gazetës amerikane, të dyja fuqitë evropiane kanë treguar tradicionalisht kujdes në përdorimin e vetos, por mbetet e paqartë nëse do të lejonin që Orbáni të merrte drejtimin e organizatës më të madhe ndërkombëtare.

Emri i ish-kryeministrit hungarez, sipas raportimit, është përmendur vazhdimisht në diskutimet mes zyrtarëve amerikanë për kandidatët e mundshëm. Në bisedat me përfaqësuesit kinezë dhe rusë, ideja e një kandidati si Orbáni thuhet se është pritur me interes, deri në përfundimin se kandidatura e tij mund të jetë një alternativë e mundshme.

Orbáni, kandidati i preferuar i kampit MAGA

“Wall Street Journal” vëren se një kandidaturë e tillë mund të shkaktojë reagime të forta, duke e cilësuar Orbánin si kandidatin ideal për krahun konservator të lëvizjes MAGA, të lidhur me Donald Trumpin.

Gjatë viteve në pushtet në Hungari, Orbáni ndoqi politika të ashpra kundër emigracionit masiv dhe u përplas vazhdimisht me Bashkimin Evropian. Ai u kritikua gjithashtu për qëndrimin ndaj organizatave joqeveritare liberale, gjyqësorit dhe mediave që konsideroheshin të afërta me të majtën.

Pavarësisht përplasjeve me Brukselin, qeveria e tij vazhdoi të përfitonte nga fondet evropiane. Ndërkohë, marrëdhëniet e ngushta me Kinën nuk e penguan Orbánin të ruante imazhin e një mbrojtësi të identitetit dhe qytetërimit perëndimor, vëren gazeta amerikane.

Donald Trump e kishte mbështetur Orbánin gjatë zgjedhjeve parlamentare hungareze të prillit, ndërsa zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, kishte marrë pjesë edhe në fushatën e tij.

Nëse ish-kryeministri hungarez vendos të kandidojë për drejtimin e OKB-së, ai pritet të ketë sërish mbështetjen e këtyre dy figurave politike. Sidoqoftë, sipas raportimit, shpallja e mundshme e kandidaturës mund të shtyhet deri pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA.

Orbáni ka rezerva: Nuk dëshiron të kandidojë pa siguri për fitoren

Zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar tashmë kontakte me Orbánin për të kuptuar nëse ai do të pranonte të hynte në garën për postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Sipas burimeve të “The Wall Street Journal”, ish-kryeministri hungarez e ka pritur pozitivisht mundësinë, por ka shprehur disa rezerva që lidhen me identitetin e tij politik nacionalist.

Orbáni thuhet se nuk dëshiron të përfshihet në një garë të tillë pa pasur bindjen se mund ta fitojë postin.

Një zyrtar i një vendi tjetër, i cituar nga gazeta, e krahasoi atë me kandidatët e tjerë të mundshëm, të cilët zakonisht vijnë nga diplomacia tradicionale dhe administrata ndërkombëtare.

Sipas këtij vlerësimi, shumica e kandidatëve kanë profilin e një administratori diplomatik, ndërsa Orbáni do të mund të luante rolin e një strategu politik. Krahasimi lidhet edhe me vetë titullin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë paraqitur një kandidate

Ndërkohë, diplomatja e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lana Nusseibeh, ka shpallur kandidaturën e saj për postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Megjithatë, mbështetja e Emirateve për një grup të armatosur që përfshihet në luftën e përgjakshme civile në Sudan mund të përbëjë një pengesë të rëndësishme për kandidaturën e saj.

Pavarësisht kësaj, Nusseibeh konsiderohet një kandidate me përvojë dhe me potencial për të fituar mbështetje.

Sipas raportimit, më 27 tetor ajo pritet t’u përgjigjet pyetjeve lidhur me kandidaturën e saj, ndërsa më 28 tetor është parashikuar një tjetër votim joformal në Këshillin e Sigurimit, për të matur preferencat e anëtarëve.

Nuk përjashtohet mundësia që në garë të hyjnë edhe kandidatë të tjerë, ndërsa mandati i sekretarit aktual të përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, përfundon më 31 dhjetor.

Humbja e zgjedhjeve i dha fund pushtetit të Orbánit në Hungari

Viktor Orbáni humbi pushtetin pas zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit në Hungari, ku partia Tisza, e drejtuar nga Péter Magyar, fitoi shumicën absolute të vendeve në parlament.

Më 9 maj, gjatë seancës së parë të parlamentit të ri, Magyar u zgjodh zyrtarisht kryeministër me 140 vota pro dhe 54 kundër. Orbáni nuk mori pjesë në seancë.

Tashmë, sipas raportimit të “The Wall Street Journal”, ish-kryeministri hungarez mund të shfaqet në një garë krejt tjetër, atë për drejtimin e OKB-së, në një skenar që do të bashkonte rreth emrit të tij Uashingtonin, Moskën dhe Pekinin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›