Trump shpall të mbyllur hapësirën ajrore mbi Venezuelën, përshkallëzohen tensionet me Maduro

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi të shtunën se hapësira ajrore mbi dhe pranë Venezuelës duhet të konsiderohet e mbyllur, duke shtuar një tjetër përshkallëzim në përplasjen me liderin socialist Nicolas Maduro.
“Për të gjitha linjat ajrore, pilotët, trafikantët e drogës dhe trafikantët e njerëzve, ju lutem konsideroni HAPËSIRËN AJRORE MBI DHE RRETH VENEZUELËS TË MBYLLUR NË TËRËSINË E SAJ,” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social, pa dhënë më shumë detaje.
Administrata amerikane ka shtuar presionin ndaj Caracas-it me një dislokim të madh ushtarak në Karaibe, ku përfshihet edhe aeroplanmbajtësja më e madhe në botë.
Washingtoni thotë se operacioni synon frenimin e trafikut të drogës, ndërsa qeveria e Maduros akuzon SHBA se synon ndryshimin e regjimit.
Që prej fillimit të shtatorit, forcat amerikane kanë kryer goditje ndaj mbi 20 anijeve të dyshuara për trafik droge në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor Lindor, ku kanë humbur jetën mbi 80 persona.
Deri më tani, Washingtoni nuk ka publikuar prova që këto mjete ishin përdorur për trafik droge apo përbënin kërcënim për SHBA.
Tensionet rajonale janë rritur ndjeshëm si pasojë e fushatës dhe pranisë së shtuar ushtarake. Autoritetet amerikane të aviacionit paralajmëruan javën e kaluar kompanitë civile që operojnë në hapësirën ajrore të Venezuelës të “tregojnë kujdes” për shkak të situatës së përkeqësuar të sigurisë dhe aktivitetit të shtuar ushtarak.
Pas këtij paralajmërimi, gjashtë linja ajrore kryesore që mbulojnë pjesën më të madhe të udhëtimeve në Amerikën e Jugut pezulluan fluturimet drejt Venezuelës. Vendimi zemëroi Caracas-in, i cili ndaloi kompanitë Iberia (Spanjë), TAP (Portugali), Avianca (Kolumbi), LATAM (Kili dhe Brazil), GOL (Brazil) dhe Turkish Airlines, duke i akuzuar se “iu bashkuan akteve të terrorizmit shtetëror të promovuar nga qeveria amerikane”.
Ndërkohë, The New York Times raportoi se Trump dhe Maduro kanë zhvilluar një bisedë telefonike javën e kaluar, ku është diskutuar mundësia e një takimi në SHBA. Ky raport erdhi vetëm një ditë pasi presidenti amerikan paralajmëroi se do të nisnin përpjekje të reja për të ndaluar trafikun e drogës nga Venezuela përmes tokës, duke shtuar më tej tensionet mes dy vendeve.
/rtsh.al/