E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Trup me trup” me censorin e diktaturës

E kaluar është diçka që kemi bërë gjysmë ore më parë. Po qe se koncepti zgjerohet te letërsia, atëherë duhet thënë se letërsia merret me të kaluarën, kudo e në çfarëdo momenti që është shkruar.

Për fat, për shembull, ende ka libra që e trajtojnë fashizmin. Në Itali është Primo Levi, që deri në vdekje s’i ka dhënë fund diskursit të tij mbi këtë tematikë, falë Zotit. E pastaj Paul Celan që nuk ia doli mbanë kurrë ta elaboronte realitetin, shpërthyer si një bombë në jetën e tij, as zanatin e tij të të shkruarit. Është Thomas Bernhard, që nuk arrinte ta shkruante fjalën fund. Ma ha mendja të jetë diçka që definohet obsesion, “monomania” në letërsi, në të cilën është i fiksuar autori apo rikthehet përherë me variacione mbi një temë të vetme.

Po qe se duam ta themi të gjithën, është e natyrshme të thuhet se me gjasë çdo autor ka temën e tij të veçantë e personale dhe vetëm një, rreth së cilës vazhdon të shkruajë. Rrallë herë botohen libra që merren me aktualitetin politik ose shoqëror, ngase në momentin kur dalin në dritë, ende nuk është e mjaftueshme distanca nga ndodhitë. Përndryshe, letërsia, në procesin e saj kreativ, presupozon një kohë të gjatë të elaborimit në brendësinë e vetë autorit. Nëse vërej më mirë, zbuloj se e tërë letërsia merret me të kaluarën, do të thotë me një periudhë që autori e ka jetuar shumë kohë më parë, që vendoset disa vite më përpara, apo ndoshta bash në një epokë që kurrë s’e ka jetuar.

Nga ana tjetër, ky është një fenomen që nuk e hasim sall në letërsi, po edhe në eseistikë apo në historiografi, ku pikëpamjet më të qarta dhe më valide mbi një erë të caktuar mund të dalin në sipërfaqe vetëm kur ka kaluar njëfarë distance kohore. Kur gjërat gjejnë paqe, pra kur janë lënë rehat dhe janë përfunduar, vetëm atëherë është përnjëmend i mendshëm një reflektim. Derisa një proces është në zanafillë, del të jetë e vështirë të nxirren konkluzione, s’ka kurrfarë vizioni tërësor.

Një qëndrim politik është i rëndësishëm për çdonjërin, autor, avokat, mjek, aktor apo inxhinier qoftë. Nuk është e mendueshme etika përtej një etike politike. Etika politike s’është tjetër gjë pos ndërrim i pozicionit i etikës sonë personale në botën në të cilën jetojmë. Politika angazhon jetën e të gjithë ne, për këtë mendoj se pa një etikë politike s’mund të ketë as edhe një etikë individuale, personale. Mendoj se ka vetëm një moral dhe nuk mbetet veçse të aplikohet në përvojat tona. Me letërsinë është e njëjta gjë: edhe në fiksion ka një etikë që nuk është tjetër pos përzgjatim i moralit personal.

Mosinteresimi për politikën për mua është i njëjtë me paralizën e të gjitha aftësive të një individi, deri edhe e fantazisë së tij. Sikur një ditë të mos duhej të kisha më interesim për atë që ndodh përreth, e sikur të mos duhej të mbaja pozicion, atëherë s’do të kisha më asgjë për të thënë, as edhe vetes.

Çaushesku ka bërë shumë mund për t’i shpallur të padobishëm shkrimtarët apo për ta zëvendësuar artin me diletantizmin. Qarqe artistësh joprofesionistë “edukoheshin” rregullisht nga shteti në ndërmarrje, në organizata të të rinjve e kështu me radhë. Duhej të dëshmohej se ai që jetonte ekskluzivisht nga arti ishte parazit, meqë nuk prodhonte asgjë konkretisht të prekshme.

Për një analfabet si Çaushesku dhe laketë e tij ishte e pakapshme të mund të ekzistonin edhe vlerat shpirtërore dhe artistike. Për këtë duhej të demonstrohej se një punëtor i thjeshtë, për shembull, me anë të pjesëmarrjes së tij në kampanjën teatrale të fabrikës, pas një dite pune në torno, ishte po aq i zoti të bënte atë që të tjerët – artistët – bëjnë tërë ditën e lume. Prandaj ishte e rëndësishme për artistin, në këtë rast shkrimtarin, ta përforcojë rolin e vet në shoqëri.

Gjuha e çdo diktature, në momentin kur boshatiset ideologjikisht pa skrupuj dhe pra dhunohet, shfrytëzohet sistematikisht nga përfaqësuesit e pushtetit. Aty ku gjuha nuk mund të hulumtojë, bëhet formulë e zbrazët, rituale. Kështu fjalimet e Çausheskut ishin ndërtuar nga pjesë të parafabrikuara me fraza të mbledhura bashkë e kurrë askujt s’do t’i kishte shkuar në mendje të pyeste çka donin të thoshin, çfarë kuptimi kishin konkretisht. Në fund, këto fjalime, s’çon peshë sa faqe gazetash mbushnin, ishin të përbëra prej pjesësh këmbimi retorike që, po qe se duam t’ua bëjmë një rezyme, do të mund të sintetizoheshin në pak fraza. Flitej pa thënë asgjë. Të kuptohej kjo, të provohej, s’ma merr mendja se donte të thoshte të jetohej një krizë gjuhe. Përkundër, vetëm sa kuptohet se gjuha e folur nga të tjerët apo që përshtatet në veten e parë, nuk është më një gjuhë: është allçizuar, nuk vlen asgjë. Kuptohet edhe se, para se gjithash për arsye morale, nuk mund as nuk duhet të sintetizohet dhe nga ana tjetër, në shkrim, gjuha lihet të përdoret vetëm në mënyrë ironike, për t’iu dhënë formë, për shembull, personazheve letrare, por jo si gjuhë e vetja e autorit.

Nuk besoj se bëhet fjalë për një krizë të fjalës. Diktatura është ndoshta shembulli më eklatant i manipulimit gjuhësor, por natyrisht një abuzim i tillë ndodh në çdo shoqëri, edhe në Perëndim. Mediat, reklamat, modat dhe tendencat e ndryshme në popullatë prishin gjuhën dhe e mortifikojnë spontanitetin tipik të gjuhës së folur. Në Romani ekzistonte një sheshim i gjuhës, në mënyrë të pavarur nga dhuna që diktatura kishte futur në gjuhë dhe nga kristalizimi i pakicës, i shkaktuar edhe nga një përdorim gjithnjë e më i shkujdesur nga ana e popullatës. Shqiptohen fjalët pa iu dhënë vlerë domethënies së tyre origjinare, ky është një efekt i shkaktuar nga të njëjtit njerëz. Por kur kjo na imponohet nga jashtë, do të thotë nga ideologjia e një shteti, atëherë është shumë më e dhimbshme, shumë më depërtuese, shumë më shkatërruese. Gjuha, në një diktaturë, shtrëngohet dhe instrumentalizohet, jo vetëm, kërkohet edhe që të përbluhet e njëjta retorikë. Këtu shoh një dallim, cenohet dinjiteti. Përdorimi i papërshtatshëm i gjuhës nga ana e komunitetit nuk e çatallon dinjitetin e individit, edhe kur një humbje e tillë gjuhësore do të thotë një humbje e perceptimit. Çmësohemi përnjëmend me perceptimin, ngase kur nuk formulohen fraza të sakta, atëherë as nuk vihet më mirë në zjarr realiteti.

Autocensura është vetëm një përzgjatim i censurës së jashtme. Kur censura e jashtme ka vepruar një herë bukur gjatë mbi një person, ai do t’i bjerë në të aty për aty, kur ka për qëllim të botojë diçka, se nuk mund t’i shprehë hapur disa koncepte të caktuara. Atëherë ose bëhet hile ose fshihen periudha të tëra. Shpesh vihet para vendimit të vështirë që të lihet anash kjo dredhi ose të hiqet dorë krejtësisht nga botimi i tekstit. Natyrisht varet se sa qortimi i censurës obligon modifikimin e tekstit origjinar.

Çdo censurë është si një këmishë e forcës ekstraletrare që e nemit tekstin, gjersa bëhet fjalë vetëm për sfumatura. Por kur duhet të shkruhet në një kontekst të ngjashëm, atëherë shpesh përvoja bën që të sakrifikohen të ashtuquajturat hollësi, detale të vockla për ta shpëtuar të tërën, përndryshe s’do të botohej asnjë rresht. Gjë që pamëdyshje regjimi do ta kishte parapëlqyer. Mund të rreshtohet kundër censurës vetëm duke mbajtur të palëkundur imperativin se një tekst duhet të botohet. Në fund edhe ky është një imperativ politik. Objektivi duhet të jetë ai i mbrojtjes së teksteve personale para funksionarësh të sektorit letërsi. Duhej mbrojtur personalisht tekstet vetjake, me thonj e me dhëmbë, deri në pikën sa të jesh i gatshëm edhe të grindesh. Krahu i hekurt me censurën, sado absurde që të duket, donte të thoshte, natyrisht, të lëshohej pe për ndonjë modifikim, por në të njjejtën kohë donte të thoshte të luftoje me të gjitha forcat për atë që konsiderohej e rëndësishme. Duhet të them se pas një kohe të shkurtër dinim shumë mirë se nëse shkruanim disa gjëra të caktuara, s’do të botoheshin kurrë. E pra, mund të jetë se mekanizmi futet pavetëdije në kokë derisa të mendohet se do të ishte më mirë të hiqet kjo ose ajo gjë. Ose formulohet koncepti ndryshe. Nuk bëhej fjalë gjithmonë për temat apo përmbajtjet, por edhe për ndryshimin e formulimit. Ekzistonin të ashtuquajturat fjalët-zile, që binin menjëherë në sy. Për këtë duhej të ishim shumë të kujdesshëm të mos i përdornim ato terme që alarmonin censorët. Nganjëherë tutesha se e përbrendësoja këtë mekanizëm dhe se disa gjëra të caktuara s’do të më vinin më në mendje, sepse edhe ashtu s’do t’i kishin shpëtuar hallkës së censurës.
Ja pse, pas rënies së diktaturave të Europës së Lindjes nuk janë gjetur arka dëng me dorëshkrime të ndaluara, në zyrat e censurës; arsyeja qëndron bash te autocensura.

Dhe mendoj se legjenda se censura tamam do ta stimulonte kreativitetin është një pohim që e përçmon letërsinë. Thuhet se është aq interesante të lexohet mes rreshtash. Mendoj se mes rreshtash s’ka asgjë për të lexuar. Kur nuk mund të shkruhet ajo që mendohet, atëherë jemi të detyruar të marrim rrugë të tërthorta. Çmimin e paguan teksti, e paguhet edhe një çmim në vetën e parë, në kokën tonë.

Përkthimi nga italishtja: Arben Idrizi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›