E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora shkakton kaos në Europë

Europa sot u përball me një kaos në komunikacion, pas të ftohtit dhe të reshurave të mëdha të borës që kanë kapluar disa pjesë të kontinentit.

Sot është ndërprerë edhe qarkullimi i trenit Eurostar mes Londrës dhe Parisit, kanë njoftuar zyrtarët, me ç’rast rreth dy mijë udhëtarë kanë kaluar natën në trenat e bllokuar në tunelin, i cili lidh këto dy vende.

Moti i ligë ka kapluar kontinentin duke filluar nga Britania, e deri në Detin e Zi, me ç’rast janë goditur aeroportet, rrugët dhe hekurudhat, e në disa shtete janë mbyllur edhe shkollat dhe është vështirësuar edhe furnizimi me rrymë.

Në Francë, bora ka shkaktuar pengesa të mëdha në Paris, me shumë fluturime që janë anuluar në aeroportet Charles de Gaulle dhe Orly, kanë njoftuar zyrtarët.

Meteorologët kanë tërhequr vërejtjen se gjatë fundjavës do të ketë reshje të reja të borës në pjesët veriore të Francës, në alpet franceze dhe në ishullin e Korzikës.

Në Britani, gjatë fundjavës janë mbyllur mbi 1500 shkolla, ndërsa mbi 3 mijë shtëpi në veri të Anglisë kanë mbetur pa furnizim me rrymë. Shumë rrugë janë bllokuar, ndërsa me vështirësi të mëdha është përballur edhe komunikacioni hekurudhor.

Edhe Rumania është përballur me reshura të mëdha të borës, të cilat kanë shkaktuar telashe të mëdha për transportin në këtë shtet.

Në Belgjikë, me dhjetëra fluturime janë anuluar në aeroportin ndërkombëtarë të Brukselit, pasi që pistat u mbuluan nga bora. Autoritetet belge gjatë dy ditëve të kaluara kanë anuluar mbi 100 fluturime.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›