Trupat , “në misione jashtë vendit” nëpërmjet debatit patriotike FSK-së

Në një debat me akuza të tipit: “po më shet patriotizëm”, Kosova e ka bërë një hap tutje në drejtim të mundësisë që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës të dalin jashtë vendit për të demonstruar profesionalizmin e tyre. Kjo pasi Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës ka miratuar të mërkurën Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës jashtë vendit.
Aprovimit të Projektligjit i kanë paraprirë replikat dhe kundërreplikat e dy anëtarëve të Komisionit, përkatësisht Xhavit Halitit nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Alma Lamës nga lëvizja “Vetëvendosje” – një bashkëbisedim, i cili nga tema e FSK-së është transferuar në atë të patriotizmit.
Ka qenë Haliti ai që fillimisht ka thënë se duke marrë në konsideratë kompetencat kushtetuese të FSK-së dhe faktin se nuk është pjesë e ndonjë aleance ushtarake, nuk do të duhej ngritur paqartësi se gjoja “Kosova po dërgon forca ushtarake në ndonjë vend”. Ndaj këtij qëndrimi ka reaguar Lama, duke theksuar se vetëm po përgatitet legjislacioni që FSK-ja të mund të ketë edhe misione ushtarake jashtë shtetit.
“Më vjen keq, por nuk mund të pajtohem me zotëri Halitin. Natyrisht që janë të përcaktuara në projektligj kompetencat dhe qëllimet, por do të ishte shumë mirë se ajo që po bëjmë ne po krijojmë infrastrukturë ligjore, në mënyrë që FSK-ja të ketë mundësi të shkojë në misione qoftë edhe në misione ushtarake jashtë shtetit”, ka thënë Lama. “Do të ishte shumë mirë, nëse aleanca e NATO-së ia ofron Kosovës një gjë të tillë. Nuk ka pse të frikësohet askush edhe nëse frikësohet...”.
Tutje ka pasuar kundërreagimi i Halitit, të cilit i është dukur që Lama po “i shet patriotizëm”.
“Unë po flas për ligjin dhe t’i po flet për media. Ti po flet për me dhënë mesazh për media për patriotizëm. Unë e kam hallin që ne nuk jemi anëtar të Paktit veriatlantik të NATO-së. Ne NATO-n e kemi për të ruajtur sigurinë në Kosovë dhe FSK-ja i ka kompetencat e veta. Edhe unë di me fol edhe mendoj që krahasuar me ju që po shitni patriotizëm edhe unë di me shit dhe kam bagazh për të folur si patriot. Problemi është që të jemi realist në nivel të kompetencave që kemi dhe duke respektuar dhe duke zbatuar Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur Haliti. “Në qoftë se ju mendoni që ne mund të komandojmë edhe NATO-në, unë plotësisht jam dakord”.
Këtij qëndrimi të Halitit, Lama i është përgjigjur se ajo vetëm po thoshte se Kosova po e përgatiste infrastrukturën ligjore për të qenë të gatshme për të pranuar ftesa për dërgimin e FSK-së jashtë vendit.
“Unë s’po flas për media, por edhe sikur të flisja është normale....Po thosha këtë që ne po krijojmë infrastrukturën ligjore që në mënyrë kur FSK-së i kërkohet të dërgojë forca ose trupa në misione të ndryshme kjo të jetë e mundur. Nëse kjo i kërkohet FSK-së ky është nder për Kosovën është vlerësim për FSK-në. Jo çdo lloj ushtrie i kërkohet që të dërgojë trupa, sepse në radhë të parë kërkohet që kjo Forcë e Sigurisë duhet të plotësojë disa standarde që për shembull janë standardet e NATO-së”, ka theksuar ajo. “Në qoftë se kjo nuk pritet mirë nga armiqtë e Kosovës, punë e madhe shumë, nuk na intereson neve”.
Pas përfundimit të diskutimit mes Halitit dhe Lamës ka folur kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri.
Ai ka pasur vërejtje për FSK-në. Ai ka thënë se FSK-ja ka problem me rishikimin e komplet sektorit të vet, gjë për të cilën ai i ka parë përgjegjës udhëheqësit e kësaj force. “Problemi është që FSK-ja këtë vit është dashur të bëjë rishikimin komplet të sektorit të vet edhe rishikimi i sektorit të sigurisë nënkupton rirregullim edhe riemërim të FSK-së. Kjo nuk po ndodh dhe e dinë ata që janë pjesë e kësaj që vërejtje të tjera nuk kemi”, ka thënë Haziri. “Ne këtë ligj e miratojmë dhe e rekomandojmë për miratim ligjin”.
Pos Projektligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës jashtë vendit, Komisioni në mbledhjen e tij, me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, ka shqyrtuar dhe miratuar edhe Projektligjin për turizmin, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për inspektoratin dhe mbikëqyrjen e tregut, Projektligjin për shfuqizimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës në bashkëpronësi si dhe Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti./Indeksonline/