E Diel, 1 Nëntor 2026

Trupat amerikane ulin flamurin e tyre në Bagdad, përfundon zyrtarisht misioni i SHBA-së në Irak

16-12-2011 / Gazeta 55

Presidenti Obama: Moment suksesi, po lemë pas një Irak sovran dhe demokratik

Rreth 1.5 milionë amerikanë kanë shërbyer në Irak që nga ndërhyrja amerikane në vitin 2003. 31 dhjetori i këtij viti do të jetë dita kur do të bëhet tërheqja e plotë e trupave

Trupat amerikane kanë ulur flamurin e tyre në një bazë komanduese në Bagdad, duke i dhënë kështu zyrtarisht fund misionit 9-vjeçar të SHBA-së në Irak.  E justifikuar nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Xhorxh ë, Bush, se diktatori irakian, Sadam Hysein kishte armë të shkatërrimit në masë të cilat mund të binin në dorë të Al-Kaedës, lufta në Irak ka përçarë jo vetëm Amerikën por edhe mbarë botën. Regjimi i Hyseinit tregoi se ishte i lehtë për t’u rrëzuar, por asnjë armë e shkatërrimit në masë nuk u gjet, dhe Shtetet e Bashkuara bashkë me aleatët e tyre nuk u pritën si shpëtimtarë- pavarësisht deklaratës së zv/presidentit, Dick Chaney. Iraku shpërtheu në dhunë sektare, çka i bërë trupat amerikanë që merreshin edhe me ndalimin e një luftë civile. Sekretari i Mbrojtjes, Leon Paneta, ka fluturuar dje drejt Bagdadit për të marrë pjesë në ceremoninë e uljes së flamurit. Gjata fjalimit të tij, ai kujtoi vizitën e tij në 2006 në Irak, si anëtar i grupit të presidentit Bush “ Irak Study” dhe tha se “lufta sektare që kishte mbërthyer Irakun dukej sikur po tregonte se asgjë nuk po funksiononte”. Ai theksoi se pas derdhjes së një sasie të madhe gjaku si nga amerikanët ashtu edhe nga irakianët, misioni për ndërtimin e një Iraku i cili do të mbrohet dhe qeveriset vetë, është bërë realitet. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, nderoi gjithashtu edhe ushtarët e rënë, të cilën rezultojnë të jenë rreth 4.500. "Kurrë nuk do t’i harrojmë sakrificat e miliona burrave dhe grave të forcave të armatosura të SHBA-së, të cilët kanë shërbyer në Irak”. Panetta nënvizoi se Shtetet e Bashkuara janë "thellësisht në borxh" me të gjithë amerikanët në uniformë, dhe përshëndeti përparimet e bëra në Irak që nga rrëzimi i Sadam Hyseinit. “ Dita e sotme nuk është për SHBA-në, por për Irakun”, theksoi Paneta. Ndëkohë, Presidenti Barak Obama, i cili si premtim elektoral pati zotimin për të tërhequr trupat nga Iraku, tha dje se  SHBA-ja lë pas një Irak sovran, të qëndrueshëm dhe të pavarur”.  Në një fjalim të mbajtur në Karolinën e Veriut, presidenti Obama përshëndeti "arritjet e jashtëzakonshme" të ushtarëve, të cilët sipas tij po largohen me kokat lart. "Çdo gjë që trupat amerikane kanë bërë në Irak, të gjitha luftimet dhe vdekjet, gjakderdhjet dhe ndërtimet, trajnimet dhe partneritetet, na ka çuar në këtë moment të suksesit. "Lufta në Irak së shpejti do t’i takojë historisë, dhe shërbimin juaj gjithashtu". Duke komentuar polemikat që kanë shoqëruar luftën në Irak, Presidenti i SHBA-së ka thënë se pavarësisht tyre, lufta ka ndihmuar në ndërtimin e një Iraku sovran, të qëndrueshëm dhe të pavarur, me një qeveri përfaqësuese që zgjidhet nga vetë populli.  Z. Obama njoftoi në tetor që të gjitha trupat amerikane do të largohen nga Iraku deri në fund të vitit 2011, një datë kjo të cilën e kishte aprovuar edhe Presidenti Xhorxh ë.Bush në vitin 2008. Rreth 1.5 milionë amerikanë  kanë shërbyer në Irak që nga ndërhyrja amerikane në vitin 2003. Përveç atyre që kanë vdekur, gati 30.000 janë plagosur. Numri i trupave arriti kulmin gjatë vitit 2007
Një kontigjent i vogël prej rreth 200 ushtarësh do të mbeten në Irak, si këshilltarë, ndërsa 15.000 persona të personelit të SHBA-së janë vendosur tani në ambasadën amerikane në Bagdad .

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›