Kërcënimet islamike dhe indiferenca shqiptare
Shiu s’pushoi mëngjes e muzg. Sa nxirrte kokën nga dera e dyqanit për të shikuar nëse mund të nisej në fakultet, prapë futej brenda. Shiu binte sixhim. Duke u hamendur të shkonte apo jo në ligjërata, jo pse mendonte se do të humbiste gjë po nuk i dëgjoi fjalët e profesorëve, por sepse donte të ishte e rregullt, i doli para postieri. Një herë iu duk njeri i kohës tjetër me uniformë të punëtorëve të hekurudhës. Postieri asnjëherë nuk ndalonte para dyqanit të saj, prandaj më shumë e hutoi kur ia la në dorë një letër, duke ikur i mbështjellë më mushama.
Kurrë nuk merrte as nuk çonte letra Lulia. Letërkëmbimet i bënte me postë elektronike, kështu që s’i shkonte në mend se dikush do t’i dorëzonte letër të postuar nga një institucion turk. Nga zyra e këtushme apo nga Turqia nuk e pa më vëmendje, i interesonte përmbajtja. Të jetë vallë Davutogllu, i hajthëm e imcak me kokë të vogël selxhuku, e mendonte zyrtarin i cili kohë më parë vizitoi Prizrenin, duke e shpallur kasaba turke kryeqytetin historik të shqiptarëve. Lulia e indinjuar me indiferencën e institucioneve tona dhe me heshtjen e intelektualëve të varur e të pavarur, qe tallur me te.
Dhe ajo në atë rrëfim donte t’u thoshte në mënyrën e vet: s’mund të livadhisnin si t’ua dojë qejfi në tokën e shqiptarëve. Por e mësuar me vetë censurën në shtetin e pavarur e demokratik, nuk u tha shumë gjëra të tjera që duhej t’ua thoshte dikush. Turqit i patëm shpall popull vëlla, pa i pasur në fis as në farë. Të këqijat ua harruam me një fjalë goje, prandaj mund të bënin ç’të donin në atdheun tonë, pa pyetur njeri: mund të ndërhynin në histori, të mbaronin xhami, ndërsa ne s’kishim ku i fusnim fëmijët në shkolla e çerdhe, të përvetësonin monumente, të ndërsenin hoxhallarë e ish-oficerë jugosllav kundër heronjve tonë kombëtar, të fyenin shenjtorët tanë e ç’mos tjetër. Të gjithë shohin të hutuar sikur gjërat s’kanë të bëjnë fare me ta. Ato ditë ishte atmosferë e nderë inkuizicioni oriental në gjithë atdheun e pavarur e demokratik, ku s’flitej tjetër pos për shami e mësim fetar, thua ishim në mesjetë dhe çështjet tjera i patëm vënë për vi si asnjë shtet tjetër oriental e perëndimor, ma përshkruante atmosferën e atyre ditëve Lulia.
Të gjithë në dyqan e shihnin më frikë, prandaj i vuri fre gojës. Druante do të dilte ndonjë hoxhë i sertë me çallme të palarë e mjekër edhe më të palarë, i frymëzuar nga fryma e shenjtë e lirave turke e dinarëve serb, dhe do ta shpallte armike të islamit e të beduinëve të shkretëtirës. Dhe ajo ishte e ndjeshme në kësi gjërash. Parajsën e lakmonte, megjithëse s’i shkonte mendja të nxitonte. Edhe po t’i kalonte të njëqindat, s’do t’i bëhej vonë. Por ç’të bënte po mori mërinë e hoxhës së sertë, i cili jepte viza për parajsë, nxiste burrat tw keqtrajtonin gratw, ndërsa Lulisë do t’ia mbyllte dyert para hundës si Cerberi. Ai i kishte kërcënuar se do t’ia mbyllte dyert edhe Nënës Terezë, thua shenjtorja do t’i pyeste mjeranët me çallme ku të shkonte në botën e përtejme.
E cytur nga kërshëria, i shkroi një shoqeje në Stamboll, duke e lutur të interesohej: a flasin hoxhallarët e Stambollit dhe të Turqisë kundër Nenës Terezë nëpër xhamit e tyre? Nuk vonoi shumë dhe shoqja e saj, Turkan quhej, i ktheu përgjigje: “Kurrë në xhami nuk shkonte! Në xhami shkojnë burrat, zejtarë e katundarë, pra njerëzit e varfër e ata të rretheve. Për çfarë me di ti mua?” Pyeste e indinjuar turkesha e sert, duke ia bërë me dije se ajo ishte e kamur dhe studente, që dmth vizitonte diskotekat e bibliotekat. Lulia i kërkoi falje për keqkuptimin. Kur mori këtë kërkim falje, sepse turkesha ishte e ndjeshme ndaj akuzave për fetarizëm e orientalizëm, turqit e qytetëruar gjakonin Perëndimin, Turkani, ia ktheu përgjigjen: Argati që ua sillte çdo mëngjes sallatat dhe pemët e freskëta, i kishte treguar se në xhamitë e tyre nuk dinin e nuk flisnin keq a mirë për Nënën Terezë.
Lulia u step para ekranit të llap-topit derisa lexonte përgjigjen e mikeshës turke. “Pse atëherë hoxhallarët të ne flasin keq kundër shenjtores sonë?” Pyeste e habitur. “Kush i paguan, nëse jo turqit e arabët? Serbia e Rusia?”, vazhdonte të bluante dyshimet për fushatën e të parëve të fesë myslimane kundër heronjve kombëtar. Deri kur kështu, pyeste e indinjuar, ndërsa i kujtohej përgjigje e një gazetari: deri sa të hyjnë parat e pista nën dorë.
Sepse, arsyetonte ajo me kokën esëll: të lejosh të t’i shajnë heronjtë kombëtar në shtetin tënd dhe të mos vepronte shteti e institucionet, kjo s’mund të kuptohej në vendet më të humbura afrikane.
Kush do të toleronte hoxhallarë mjeranë të thoshin në xhami se Skënderbeu është armik, sepse ashtu propagandonin turqit e vjetwr e tw rinj, që e kishin pasur armik. Kush do të lejonte të t’i fyejnë personalitetet dhe prapë të mos reagoje institucionalisht, e as privatisht? Pyeste dhe nuk gjente përgjigje.
Lulia qe stepur po ashtu kur pa pllakatin e madh, para Katedrales në Prishtinë, ku policët turq ua uronin Kurban bajramin myslimanëve. Ajo priste nga policët e Turqisë t’ua uronin shqiptarëve 28 Nëntorin (të parin a të dytin s’kishte rëndësi), apo bile Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, por s’priste nga xhandarët turq t’ua uronin Bajramin e vogël me një foto të deleve e deshve. Kush janë delet e kush deshët, në këtë rast, nuk e zbërthente dot, megjithëse e mendoi gjithë pasditen e së dielës. Ajo kishte dëgjuar për policët turq se nuk ishin policë islamikë, por polici qytetare.
- Më paskan mashtruar, - me tha e habitur.
Pastaj u mllefos, sepse policët e Anadollit i ndanin shqiptarët në mysliman e të krishterë. Pse nuk ua uruan shqiptarëve Pashkët e Krishtlindjet?
Të gjitha këto i përftuan nëpër kokë, me tha derisa ia përkthyen letrën në medrese jo shumë larg shtëpisë së saj, meqë përkthyes turk në qytet vështirë gjeje, të gjithë përkthenin nga gjuhët perëndimore: anglishtja, gjermanishtja, italishtja e frëngjishtja. S’kishin kohë të merreshin më një gjuhë që s’ua kërkonte kush, i thanë kur ajo u premtoi shpërblim të mirë po t’ia përkthenin letrën shpejt.
Nga përkthimi mori vesh copa-copa se një person me një emër që i doli nga mendja, thoshte se akëcilit institucion turk fetar a jo fetar, nuk e mbajti në mend, sepse nuk dallonin në qëndrimin ndaj atdheut të saj (madje Turqia për herë të dytë të ne hynte me islamizëm e jo me kulturë e qytetërim), i kishte mbetur hatri që ajo tallej me ideologun dhe arkitektin e ngjalljes së fantazmës otomane në Ballkan, Davutogllunë. Si mund ta vente në dyshim Lulia këtë projekt aq i ngulmët t’u jepte shpirt lugetërve, dhe të pushtonte sërish Ballkanin, duke e bërë një federatë të përbashkët sllave e shqiptare. Serbët ishin fascinuar me ringjallesin e fantazmave, turkun imcak, sepse prapë do t’i kishin nën sundim shqiptarët, fërkonin duart në Beograd. Sllavët e Maqedonisë gëzoheshin akoma më shumë, sepse shqiptarët etnik i paqësuan në emër të fesë: nuk merreshin më me komb e atdhe, por me fe e parajsë, që u premtonin po hoqën dorë nga shqiptarësia dhe po e mohuan Skënderbeun e Nënën Terezë. Dhe ata këtë gjë kanë filluar ta bëjnë.
Serbia u shpall nga i pari i turqve shteti më i privilegjuar në Ballkan, gjë që do të thoshte, përkthyer në shqipen e Lulisë, shteti loçkë i Turqisë!
Davutogllus i kishte mbetur hatri për vërejtjet sarkastike të Lulisë, prandaj kërkonte sqarim, thua ajo qe qeveri a ambasadë dhe e obligonin konventat ndërkombëtare. Po të ishte përfaqësuese diplomatike apo po të ishte në krye të shtetit do t’i thoshte turkut ngatërrestar, zhvlerësoje një herë marrëveshjen me Serbinë për shpërnguljen e shqiptarëve, mos i pengo boshnjako-shqiptarët e Sanxakut ta kundërshtojnë diktaturën e Serbisë, mos e cyt shpërnguljen e shqiptarëve nga Presheva, Medvegja, Bujanovci, sipas marrëveshjes serbo-turke.
Sikur të kishte mundësi do ta pyeste sajuesin e federatës fantazmë: pse e bëre Serbinë shtetin më të privilegjuar në Ballkan, duke i ofruar lehtësira, ndërsa neve na bënë presione kolonialiste përmes institucioneve fetare e jofetare, me turq të shpifur e mercenarë të pa kombësi, që paranë e kanë zot. Do t’ia numëronte edhe shumë gjëra të tjera. Por s’kishte si dhe s’kishte kujt t’ia thoshte.
Në mungesë të institucioneve tona dhe institucioneve turke që Lulia s’i dinte as s’i pranonte, e grisi letrën. Copat e grimcuara notonin vijës së ujit tutje rrugës së asfaltuar e të dëmtuar nga shiu e bora.