Berisha: Kreu i PS-së, Rama dhe segmente pranë tij lobuan kundër Rrugës së Kombit

Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se rruga Durrës – Kukës – Morinë, e cilësuar si rruga e kombit është kundërshtuar nga lobe anti-shqiptar jo vetëm nga të huajt por edhe nga eksponentë brenda vendit. Duke folur në një bashkëbisedim me studentë të ardhur nga Universiteti i Gjilanit, kryeministri Berisha theksoi se eksponentë të opozitës publikuan shuma marramendëse për koston e rrugës, duke u bërë pjesë e atyre lobeve që luftuan me të gjitha mjetet që të bllokojnë rrugën. “Eksponentë me një formimin politik arkaik e konsideronin rrugën si një rrugë që do të bënte të mundur bashkimin e Shqipërisë dhe ky bashkim nuk duhet të ndodhte në asnjë mënyrë. Një vështrim historik të së shkuarës ka pasur një rivalitet mes portit të Durrësit dhe portit të Selanikut. Këto grupe mendonin se rruga do të dëmtonte portet e rajonit dh e vërteta është që këto grupe bën gjithçka për ta penguar atë por nuk mundën pasi Shqipëria është vend sovran”- u shpreh Berisha.
I pyetur nga studentët për deklaratën e Ramës në Kosovë se ai nuk ishte kundër rrugës së kombit, kryeministri Berisha ka përsëritur se kreu i PS-së me qindra herë është ngritur kundra saj. “Rama ka të drejtë të rishqyrtojë gabimet, por të deklarosh se nuk ke qenë kundër rrugës, akuzon veten tënde se shqiptarët kanë memorie të kthjellët”- tha Berisha ndërsa ka shtuar se rruga vërtetë është e kushtueshme, por është ndërtuar si një kryevepër, në një terren mjaft të vështirë dhe me koston më të ulët të mundshme.
“Rruga është në ndërtimet që kompania që ka ndërtuar tunelin e Lamashit dhe ka me mijëra rrugë e ura të ndërtuara në Europë e botë, e rendit këtë rrugë një nga kryeveprat. Kjo rrugë është një rrugë e kushtueshme, por atyre që u bien borive se ka një korrupsion prej qindra milionë euro, u them kostoja për kilometër është më pak se 10 milionë euro, kësaj rruge në një vend mik është ndërtuar një autostradë që kalon në një terren shumë më pak të vështirë me kosto 13 milionë euro për kilometër”- theksoi Berisha.
Sipas tij, të shpallësh shuma marramendëse që nuk kanë asnjë dokument, asnjë fakt tregon se kundërshtarët u bërë pjesë e atyre lobeve që luftuan me të gjitha mjetet për të bllokuar ndërtimin e rrugës. “Kreu i PS-së, me disa segmente të tjera të këtushme e kryesoi këtë procesion, por nuk penguan dot, rruga u ndërtua në trajektoren më të shkurtër” ka theksuar më tej Berisha.
Më tej kryeministri Berisha ka theksuar se qeveria shqiptare po punon për përmbushjen e të gjitha kritereve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian ndërsa fajësoi sërish opozitën që sipas tij bllokoi marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Ai gjithashtu theksoi se mbetet i hapur për bashkëpunimin me opozitën por është i vendosur për të mbrojtur parimet. “Mbetem i hapur ashtu sikur mbetet i vendosur në mbrojtjen e disa parimeve ku një pakicë nuk mund ti diktojë në kundërshtim me ligjin një shumice dhe kjo nuk është çështje personale”- ka theksuar më tej kryeministri Berisha, ndërsa ka shtuar se shqiptarët të ardhmen më të shkëlqyer e kanë në Bashkimin Europian