E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trupat luftarake amerikane mund të lënë Irakun brenda 19 muajve

Zyrtarë amerikanë thonë se presidenti Barak Obama pritet të urdhërojë largimin e të gjithë trupave luftarake amerikane nga Iraku para gushtit të vitit 2010.

Zyrtarët, që folën me kusht të mbeteshin anonim, i thanë agjencive të lajmeve se zoti Obama mund ta publikojë planin për tërheqjen nga Iraku brenda 19 muajve që kësaj jave.

Rreth 142 mijë trupa amerikane ndodhen në Irak. Plani i tërheqjes bën thirrje që mijëra trupa të mbeten në Irak për të stërvitur forcat irakiane dhe për të mbrojtur trupat amerikane.

Sipas një marrëveshjeje të sigurisë amerikano-irakiane mbi të cilën u ra dakord vitin e kaluar, të gjitha trupat amerikane duhet të largohen nga Iraku brenda fundit të vitit 2011.

Zoti Obama u zotua gjatë fushatës se do të tërhiqte trupat amerikane nga Iraku brenda 16 muajve por tha gjithashtu se do të merrte në konsideratë mendimet e zyrtarëve të mbrojtjes mbi këtë çështje.

Afati 19 mujor shihet si kompromis pasi disa zyrtarë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes kanë bërë thirrje për një tërheqje brenda 23 muajve. //ek

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›