E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Për ish- pronarët toka në zona turistike

Një grup ad- hok ka filluar me intensitet për identifikimin e tokave publike në zonat turistike. Kryeministri Berisha deklaroi sot se procesi i kompensimit dhe kthimit të pronave është tepër i rëndësishëm 

TIRANE- Kryeministri Berisha deklaroi sot në mbledhjen e qeverisë se ka gati hartën e tokave të lira publike në zonat turistike për kompensimin e ish pronarëve.

“Një grup ad hok ka filluar me intensitet për identifikimin e tokave publike në zonat turistike.  Çmimi i trojeve ka arritur në rreth 2 mijë euro në qendrën e Tiranës dhe ju siguroj se vitet në vazhdim mund të arrijë në 5 mijë euro dhe më shumë",deklaroi kreu i qeverisë.

Ai e vlerësoi si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin kthimin dhe kompensimin e pronave: “Pa faktorin kompensim, ky proces nuk mund të kompletohet në asnjë mënyrë, sepse zënia e sipërfaqeve është shumë e madhe dhe jashtëzakonisht e kushtueshme"-tha më tej Berisha.

Kreu i Qeverisë vuri në dukje se "është identifikuar me të gjitha dokumentacionet e nevojshme një sipërfaqe e madhe publike, e cila do të përdoret në këtë proces, por mbeten ende për t'u përcaktuar procedurat e transferimit dhe mënyra, se si do të shpërndahet kjo sipërfaqe".

Trojet e përcaktuara për kompensim, sipas Kryeministrit, "janë në bregun e Adriatikut, bregun Jonian dhe përreth liqenit të Shkodrës dhe atij të Pogradecit". Kryeministri kërkoi që "për këtë qëllim, të shqyrtohet edhe zona jashtë Parkut Kombëtar të Dajtit dhe Malit të Priskës".

Kryeministri kërkoi që javën që vjen, të paraqiten në qeveri aktet nënligjore të procedurës së këtij procesi.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›