E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trupat siriane tërhiqen nga Halepi, rebelët përparojnë

Forcat qeveritare siriane janë tërhequr nga qyteti i Halepit pas një ofensive të rebelëve që kundërshtonin sundimin e presidentit Bashar al-Assad. Ushtria pranoi se rebelët kishin hyrë në “pjesë të mëdha” të qytetit, vendi i dytë më i madh, por u zotua të bënte një kundërsulm.

Ofensiva shënon luftimet më të rëndësishme në luftën civile të Sirisë në vitet e fundit. Më tepër se 300 vetë, duke përfshirë së paku 20 civilë, janë vrarë nga e mërkura, kur filloi ofensiva, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR). Duke folur të shtunën, Presidenti Asad u zotua të “mbrojë stabilitetin dhe integritetin territorial të Sirisë përballë të gjithë terroristëve dhe mbështetësve të tyre”.

“Vendi është i aftë, me ndihmën e aleatëve dhe miqve të tij, t’i mposhtë dhe eliminojë ata, pavarësisht se sa intensive janë sulmet e tyre terroriste,” e theksoi ai.

Lufta civile, e cila ka lënë rreth gjysmë milioni të vdekur, filloi në vitin 2011 pasi qeveria e Asadit ju përgjigj protestave pro-demokracisë me një goditje brutale.

Konflikti ka qenë kryesisht i fjetur që nga një armëpushim i rënë dakord në vitin 2020, por forcat e opozitës kanë mbajtur kontrollin e qytetit veri-perëndimor Idlib dhe pjesës më të madhe të provincës përreth.

Rebelët kanë marrë kontrollin e aeroportit të Halepit dhe dhjetëra qyteteve të afërta, sipas SOHR. Ata njoftuan gjithashtu një shtetrrethim gjatë natës i cili hyri në fuqi në orën 17:00 sipas orës lokale./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›