E Hënë, 2 Nëntor 2026

Situata politike në Liban, Papa Françesku kërkon zgjedhjen sa më shpejt të presidentit të ri të vendit

Papa Françesku iu bëri thirrje politikanëve libanezë që të zgjedhin sa më shpejt një president të ri, në mënyrë që institucionet e vendit të fillojnë të funksionojnë sërish normalisht.

“Institucionet e Libanit kanë nevojë të rifillojnë funksionimin për të ndërmarrë reformat e nevojshme dhe për të mbështetur rolin e vendit si një shembull të bashkëjetesës së paqtë fetare,” u shpreh Ati i Shenjtë në fund të lutjes së tij Angelus që mban të dielave në sheshin Shën Pjetër.

Libani, 30 përqind e popullsisë së të cilit është e krishterë, ka mbetur pa president që pas mbarimit të mandatit të Michel Aoun në tetor të vitit 2022. Asnjë nga dy grupet kryesore parlamentare, Hezbollah i mbështetur nga Irani dhe kundërshtarët e tij, nuk kanë shumicën e kërkuar për zgjedhjen e kreut të shtetit dhe nuk kanë rënë dakord për një kandidat konsensusi.

Vendi, kryeqyteti i të cilit, Bejruti, dikur cilësohej si Parisi i Lindjes së Mesme, aktualisht ndodhet në një fazë armëpushimi në konfliktin mes grupit militant Hezbollah, aleat i grupit militant palestinez Hamas, dhe Izraelit. Që nga tetori i vitit të kaluar, kanë humbur jetën të paktën 3,961 persona dhe janë plagosur më shumë se 16,500 të tjerë.

/rtsh/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›