E Diel, 1 Nëntor 2026

Trupi gjykues: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave

PRISHTINË, 16 shtator/ATSH/ Trupi gjykues në Hagë ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë se ishte kryer krimi i luftës i arrestimit të paligjshëm ndaj së paku 385 personave.

Trupi gjykues konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë kryerjen e krimeve të luftës të trajtimit mizor dhe torturës ndaj disa personave në Kosovë dhe në dy qarqe të Shqipërisë.

Trupi gjykues konstatoi se, ndërmjet prillit të vitit 1998 dhe qershorit të vitit 1999, në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth në Shqipëri, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Sipas konstatimeve të trupit gjykues, në mesin e personave të shënjestruar ishin anëtarë dhe përfaqësues të forcave të tjera politike ose ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me LDK-në dhe FARK-un.

Në këtë grup përfshiheshin edhe persona të lidhur me autoritetet e Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe pjesëtarë të pakicave etnike, përfshirë serbë dhe romë.

Trupi gjykues tha se përgjegjësia e katër të akuzuarve është individuale, por konstatoi se ata vepruan së bashku dhe arritën marrëveshje për një qëllim të përbashkët kriminal.

Sipas gjykatësit Smith, ata ngritën bashkërisht objekte ndalimi, u caktuan personave të tjerë role dhe pozita për realizimin e këtij qëllimi dhe lëshuan komunikata përmes të cilave përhapnin qëndrimet dhe politikat e tyre.

Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se të akuzuarit siguruan pandëshkueshmëri të plotë për kryesit e krimeve.

Gjykatësi Charles Smith po paraqet konstatimet e trupit gjykues lidhur me akuzën për vrasje të paligjshme si krim lufte.

Gjykatësi Charles Smith po vazhdon të paraqesë konstatimet e trupit gjykues për krimet e pretenduara në aktakuzë.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndodhen në seancën e dhënies së aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.

Të katërt i kanë mohuar akuzat. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.

Trupi gjykues që po shqipton aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kryesohet nga gjykatësi Charles Smith.

Trupi gjykues konstatoi se disa të ndaluarve u ishin shkulur thonjtë dhe u ishin thyer gjymtyrët gjatë keqtrajtimit.

Sipas gjykatësit Smith, disa prej tyre vazhdojnë të kenë dhimbje ose nuk janë në gjendje të ecin edhe sot.

Shumë dëshmitarë, tha Smith, kanë treguar për pasoja afatgjata të keqtrajtimit, përfshirë depresionin dhe problemet me gjumin.

Trupi gjykues konstatoi se shumë të ndaluar ishin rrahur deri në atë masë sa nuk ishin në gjendje të qëndronin në këmbë, ndërsa disa kishin humbur jetën si pasojë e rrahjeve nga pjesëtarë të UÇK-së.

Sipas gjykatësit Smith, të ndaluarve u ishin shkaktuar gjithashtu vuajtje psikologjike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›