E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria drejt standardeve të BE-së në bujqësi, AZHBR në konferencën ICE 2026

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) mori pjesë në Konferencën ICE 2026, për Sistemin e Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS) të organizuar në Sofje nga Qendra e Përbashkët Kërkimore e Komisionit Evropian (JRC), në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural të Komisionit Evropian (DG AGRI) dhe Agjencinë Bullgare të Pagesave.

Konferenca, u fokusua te zhvillimet teknike dhe shkëmbimi i praktikave më të mira mes autoriteteve dhe agjencive të pagesave. Në program u trajtuan ndër të tjera zhvillimet e reja teknologjike, shërbimet për IACS, zbatimi i Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP), si dhe praktikat më të mira për Sistemin e Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS).

Pjesëmarrja e AZHBR-së në këtë aktivitet i dha mundësinë institucionit të shkëmbejë eksperienca me komunitetin evropian të IACS-it dhe të njihet me zhvillimet e fundit në kuadër të CAP. Në fokus ishte edhe progresi i Shqipërisë në ndërtimin e LPIS-it, si një nga elementet e rëndësishme të sistemit të administrimit dhe kontrollit të fondeve bujqësore.

Gjatë konferencës u diskutuan gjithashtu sfidat e zbatimit të IACS në vendet kandidate të Bashkimit Evropian, çështje që lidhen drejtpërdrejt me procesin e përafrimit të Shqipërisë me standardet dhe kërkesat e BE-së në sektorin e bujqësisë.

Për AZHBR-në, bashkëpunimi me JRC-në, agjencitë homologe evropiane dhe partnerët ndërkombëtarë vlerësohet i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve teknike dhe për përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 11 “Bujqësia dhe zhvillimi rural”.

Konferenca ICE shërbeu gjithashtu si një forum teknik për përgatitjen e fazës së ardhshme të IACS, me diskutime mbi zhvillimet pas vitit 2027 dhe përgatitjen për periudhën e re të Politikës së Përbashkët Bujqësore.

1 nga 4

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›