Truprojat e Hitës dhunuan gazetarët, reagon AGSH: Asnjë drejtues institucioni nuk mund të tolerojë intimidimin apo ndërhyrjen fizike ndaj medias
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dënuar pengimin e gazetarëve nga persona të paidentifikuar dhe të maskuar, të cilët i kanë ndaluar të drejtojnë pyetje ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë protestës së sotme në Tiranë.

Në reagimin e tij, AGSH thekson se Hita jo vetëm refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, por nuk ndërhyri as për të ndaluar pengimin fizik të tyre.
Asociacioni e cilëson ngjarjen shqetësuese dhe të papranueshme, duke theksuar se Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë sigurinë e gazetarëve dhe ushtrimin e lirë të detyrës së tyre.
Reagimi i AGSH:
PËRDITËSIM – 17 tetor 2026
AGSH dënon pengimin e gazetarëve nga persona të maskuar pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) është i tronditur nga pengimi i gazetarëve për t’i drejtuar pyetje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, nga persona të paidentifikuar dhe të maskuar që ndodheshin pranë tij në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë protestës së sotme në Tiranë.
Gazetarë të mediave të ndryshme iu drejtuan kreut të Policisë së Shtetit për të marrë një prononcim lidhur me zhvillimet e protestës dhe veprimet e strukturave policore. Megjithatë, Skënder Hitaj jo vetëm që refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve, por, sipas raportimeve, i shpërfilli gazetarët dhe nuk ndërhyri për të ndaluar persona të paidentifikuar dhe të maskuar që po pengonin fizikisht punën e tyre.
AGSH e konsideron këtë ngjarje veçanërisht shqetësuese, pasi pengimi i gazetarëve ka ndodhur në praninë e drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, institucionit që ka detyrimin ligjor të garantojë sigurinë e tyre. Refuzimi për të dhënë një prononcim është një zgjedhje e një zyrtari publik, por lejimi i pengimit të gazetarëve nga persona të paidentifikuar është i papranueshëm. Asnjë drejtues institucioni nuk mund të tolerojë intimidimin apo ndërhyrjen fizike ndaj përfaqësuesve të medias që kërkojnë të ushtrojnë detyrën e tyre.
Është thellësisht shqetësuese që, pas pesë ditësh protestash të shoqëruara me incidente të përsëritura ndaj punonjësve të medias, vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të jetë i pranishëm në një situatë ku gazetarët pengohen të kryejnë detyrën e tyre.