E Diel, 1 Nëntor 2026

Tryeza e partive të vogla, PS mbështet korrektimin kombëtar, PD nuk shprehet

Tryeza

Në një kohë kur në fund të këtij muaji pritet mbyllja e reformës zgjedhore, partitë e vogla të mbledhur në një tryezë ku ishin të pranishëm lideri i PS-së Edi Rama dhe përfaqësuesi i mazhorancës Ilir Rusmaili kanë bërë thirrjen e fundit për modifikim të sistemit aktual zgjedhor. Por në fund nuk tryeza është mbyllur pa ndonjë konkluzion.

Lideri i opozitës Edi Rama u shpreh se është dakord për korrektimin kombëtar por nga ana tjetër theksoi se nuk e kushtëzon reformën zgjedhore. Kjo do të thotë se një gjë e tillë mund të realizohet nëse është dakord pala tjetër, Partia Demokratike.

Nëse ka vend për të përmirësuar sistemin, ne jemi dakord që të japim mbështetjen dhe kontributin tonë për një sistem të përmirësuar përmes një korrektimi kombëtar që u mundëson më shumë hapësirë dhe barazi në garë e në votë, partive parlamentare e jo parlamentare dhe atyre që hyjnë në garë për herë të parë, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër Ilir Rusmaili, përfaqësues i PD-së në këtë tryezë nuk dha përgjigje përfundimtare. Sipas tij nuk mund të ketë tryezë apo takim për të plotësuar tekat e njërës apo tjetrës palë, i madh apo i vogël.

Kjo tryezë e ky debat është shumë i rëndësishëm. Ka disa gjëra që meritojnë vëmendje. Ju thatë zoto Milo që në këtë tryezë ka pasur pjesëmarrje të plotë. Kjo vjen për shkak se debati rreth çështjes është i madh, nganjëherë edhe kontradiktor. Duhet mbajtur parasysh se vende super të konsoliduara sot e kanë çështjen e sistemit zgjedhor temë të sistemit politik tha kreu i Komisionit të Ligjeve. /F.Stafa/

*   *    *

Partia Socialiste nuk kushtëzon reformën zgjedhore për përmirësimin e sistemit, por do tu përmbahet rekomandimeve dhe standardeve.

Duke folur në tryezën e partive të vogla për reformën zgjedhore, kreu i PS-së, Edi Rama, u shpreh se partia e tij mbështet korrektimin kombëtar të sistemit zgjedhor.

Në parim jemi të fokusuar tek standardet. Deri në momentin që flasim nuk ka asnjë arsye për të mos bërë progres në procesin e reformës zgjedhore. Nuk jemi në përfundim për të thënë fjalën e fundit, por jemi të bindur se me lista zgjedhore transparente dhe të auditueshme para dhe pas zgjedhjeve dhe me identifikim të votuesve me kartën e identitetit e përmes teknologjisë së re, me numërim të shpejtë dhe transparent e të ndershëm, gjëra këto që janë diskutuar dhe mbeten për tu artikuluar ligjërisht, dhe me KQZ të riformatuar besoj se parimisht kemi një reformë, e cila nuk i jep të drejtë askujt që të thotë na i vodhët, na i morët, deklaroi Rama në tryezën e partive të vogla.

Të vegjlit, tryezë për reformën zgjedhore, mungojnë Berisha dhe Meta  

Partitë e vogla do të mblidhen sot në një tryezë të përbashkët, në përpjekje për të bindur dy partitë e mëdha, PD dhe PS, për ndërhyrje në sistemin zgjedhor. Ata kërkojnë korrektim të sistemit me qëllim që  të mos penalizohen nga sistemi.

Në tryezë, e cila pritet të mbahet në mesditë, do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të dy partive të mëdha. Mësohet se nga PS-ja do të jetë I pranishëm vetë kryetari Edi Rama.

Ndërsa dy figurat kryesore të maxhorancës në pushtet nuk do të marrin pjesë në tryezë. Sipas stafit të kryeministrit Berisha, ai do të jetë I angazhuar në inaugurimin e fillimit të punimeve të autostradës Tiranës-Elbasan.

LSI do të përfaqësohet nga Edmond Haxhinasto, për shkak të axhendës së ngarkuar të kryetarit Ilir Meta, bëjnë të ditur burime nga LSI-ja. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›