Kontrolli tek ALUIZNI, Memia jep dorëheqjen
TIRANË Kur ka kaluar një muaj nga kontrolli i veprimtarisë së Agjencisë së Legalizimit e Urbanizimit të Zonave Informale, mbrëmë në mënyrë të beftë Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia ka dhënë dorëheqjen. Burime pranë tij deklaruan mbrëmë për gazetën “Mapo”, se Memia ka dhënë dorëheqjen në mënyrë të parevokueshme. Vetë Memia nuk ka preferuar të japë përgjigje për lajmin e bërë publik mbrëmë edhe pse insistimi i medias ka qenë i madh. Dorëheqja e tij lidhet me kontrollin prej 30 ditësh që po kryen një grup pune i ngritur me urdhër të kryeministrit Sali Berisha. Në fund të muajit shtator, Berisha firmosi një urdhër të posaçëm për kontrollin e Agjencisë së Legalizimeve. Për këtë kontroll ishte ngarkuar një grup pune, që në fund të afatit prej 45 ditësh duhet të hartonte edhe një raport për të dalë më pas me disa rekomandime konkrete. Vendimi për fatin e drejtimit të kësaj agjencie do të varej pikërisht nga përmbajtja e kontrollit, që do të zgjaste edhe dy javë. Prej kohësh, Kryeministri ka shprehur në rrugë jozyrtare pakënaqësi ndaj punës së ALUIZNI-t dhe vetë drejtorit të saj, Shaban Memia. Nxitje për këtë kontroll ka qenë në fakt edhe një konflikt i hershëm mes Shaban Memisë dhe drejtorit të ALUIZNI-t Tiranë, Ferdinand Shehu, debat ky që mori përmasa publike rreth dy javë më parë. Memia firmosi urdhrin për shkarkimin e Shehut për mungesë të integritetit moral. Por 24 orë më pas, pavarësisht këtij vendimi, Shaban Memia u detyrua ta pezullonte urdhrin e shkarkimit, sa kohë që e gjithë puna e kësaj agjencie përfshi edhe vetë Meminë, ishte pjesë e kontrollit të hollësishëm.