Tryeza për reformën në drejtësi, Nishani: Të zbatojmë prioritetet e Komisionit Evropian
Kreu i shtetit, Bujar Nishani mbledh drejtuesit e institucioneve
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka thirrur sot në një tryezë të rrumbullakët një sërë drejtuesish të institucioneve kryesore pjesë përbërëse të sistemit të drejtësisë. Kreu i shtetit në fjalën e tij e ka vënë theksin tek zbatimi i prioriteteve të vendosura në Komisioni Evropian, përmes një koordinimi dhe bashkëpunimi për reformën në drejtësi. Ai i bëri apel politikës për miratimin e 3 pr/ligjeve të kërkuara nga KE. “Në këto momente historike e vendimtare për vendin tonë këto 3 pr/ligje përtej qëllimeve rregullative marrin rëndësi vendimtare. Klasa politike shqiptare ka fatin të kurorëzojë atë çka nisi 100 vjet më parë një grup patriotësh. Nga këto reforma përfitojnë jo vetëm qytetarët por dhe gjyqtarët”- tha Nishani. Presidenti Nishani e vuri theksin tek domosdoshmëria e reformimit të sistemit gjyqësor. “Jam përkushtuar të përmbush 12 prioritetet e BE-së. Si kryetar i KLD-së në fokus është përmbushja e të gjithë pritshmërive, dhe prioritet reforma në gjyqësor. I kam kërkuar KLD të përkrahë gjyqtarët e integruar dhe të ndjekë këmba këmbës ata që nëpërkëmbin Kushtetutën, ligjet, dhe qytetarët. Ata do të përballen me ligjin”- tha Nishani. Presidenti Nishani vuri theksin tek domosdoshmëria e reformimit të sistemit gjyqësor. Presidenti Nishani zhvilloi javën e kaluar takime të veçanta konsultuese me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme.
Halimi: Ligji e bën më të pavarur Gjykatën e Lartë
Nga ana e tij ministri i Drejtësisë Eduard Halimi apeloi nga që të votohet ligji për Gjykatën e Lartë, në funksion të Pavarësisë së gjyqësorit dhe bëri thirrje opozitës që të shohë interesin qytetar. Ministri Halimi tha se “dixhitalizimi dhe rritja e transparencës dhe regjistrimi audio e video do të rrisë besimin e qytetarëve tek drejtësia” Ndërkaq ai kërkoi një bashkëpunim nga vetë aktorët për reformën në drejtësi, të cilët sipas tij duhet të jenë të parët për të lëvizur nga status quo në të cilën ka qenë sistemi i drejtësisë. Gjithashtu ai përshëndeti edhe vendimin e KLD-së për rishpërndarjen e gjyqtarëve, që sipas tij rrit efikasitetin e gjyqësorit. Në tryezë kanë marrë pjesë ministri i drejtësisë Eduard Halimi, kryeprokurorja Ina Rama, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj, nënkryetari i KLD-së Elvis Cefa si dhe krerë të të tjerë të institucioneve të drejtësisë.
...