Berisha: Thirrjet për rritjen e taksave janë shkatërruese për sipërmarrësit
Kreu i qeverisë: Institucionet financiare të ndihmojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
Kreu i mazhorancës i bën apel institucioneve financiare për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në lançimin e Rrjetit Evropian të Ndërmarrjeve në Shqipëri kryeministri Sali Berisha ri-përsëriti edhe një herë se do të vazhdoj politikën e uljes së taksave. Sipas kreut të mazhorancës Shqipëria po fakton se është Kina e vogël e këtij rajoni. “Nëse ka një leksion që ne mund të mësojmë nga sipërmarrja e vogël dhe e mesme evropiane është vlerësimi, investimi, inkurajimi në zhvillimin e këtij dimensioni si një nga kushtet më përcaktuese të suksesit në vazhdimin të sipërmarrjeve”- tha Berisha. Kryeministri gjithashtu garantoi biznesin se qeveria do të bëjë gjithçka për të ulur barrën fiskale dhe burokracitë për ta. “Çdo thirrje për rritje taksash është shkatërrim për vendet e punës. Garantoj që nuk do të ketë rritje taksash por ulje të mëtejshme të tyre. Ne besojmë se paratë në kontot tuaja janë më të vlefshme për shoqërinë dhe qytetarët se sa në arkën publike. Unë ju ftoj të vazhdoni dialogun për të zgjeruar më tej lirinë e tregut dhe për të lehtësuar më tej kushtet e sipërmarrjes private në tërësi dhe në mënyrë të veçantë të sipërmarrjes së vogël dhe të mesme që mbetet gjeneratori kryesor i krijimit të vendeve të punës”- tha Berisha. I pranishëm në këtë aktivitet ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Ettore Sequi deklaroi se pjesëmarrja e Shqipërisë do të ndihmoj që SME -të të integrohen në tregjet e huaja. “Bashkimi Evropian e mirëpret Shqipërinë në këtë rrjet. Kjo do të ndihmoj ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që të integrohen sa më shpejt në strukturat evropiane. SME -të janë të rëndësishme pasi kanë të punësuar një numër të konsiderueshëm të personave dhe integrimi i tyre në tregjet evropiane do të jetë një mbështetje për ekonominë. BE ka dhënë rreth 2.2 milion euro që këto ndërmarrje të jenë konkurruese dhe ti bashkohen inovacioneve teknologjike”- tha Sequi. Rrjeti i ndërmarrjeve Evropiane është rrjeti më i madh në botë që lidh biznesin dhe ndihmon në shkëmbimin e informacioneve dhe të eksperiencave. Ky rrjet është prezent në më shumë se 50 vende të botës.
...