Tubohet parlamenti i Egjiptit, injoron ushtrinë

Parlamenti i Egjiptit, i dominuar nga islamistët, u tubua të martën, duke sfiduar kështu haptazi gjeneralët, të cilët e shpërndanë parlamentin muajin e kaluar, duke thëlluar kështu tendosjet me ushtrinë, vetëm dhjetë ditë pas zgjedhjes së Mohammed Morsit për president.
Pak kohë para se kryetari i parlamentit, Saad Al Katatni, të hapte seancën, SHBA-ja kërkoi nga të gjitha palët që të angazhohen në bisedime, për të mbajtur në binarë tranzicionin politik në Egjipt.
“Ju ftova që të tuboheni, në përputhje me dekretin e lëshuar nga presidenti. Dëshiroj të konfirmoj se dekreti i presidentit nuk paraqet shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Katatni, i cili sikurse edhe Morsi vjen nga radhët e Vëllazërisë Myslimane.
Ushtria nuk ndërmori hapa për të parandaluar tubimin e deputetëve në ndërtesën e parlamentit.