Strukturat ilegale “kërcënojnë” Zyrën Civile në veri

Lideri i serbëve të veriut, Marko Jaksiq, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Serbisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se serbët në veri të Mitrovicës tashmë i kanë, sipas tij, dy komuna, njërën të UNMIK-ut dhe tjetrën, të dalë nga zgjedhjet serbe.
Zyra Civile Administrative, si gurthemel i komunës së re të veriut të Mitrovicës, sipas tij, nuk i duhet serbëve të veriut.
“Mendoj që serbëve nuk ju duhet një gjë e tillë. Nëse kemi një komunë të tillë, atëherë nuk do ta kemi shtetin e Serbisë. Nëse e dëshirojmë shtetin e Serbisë, atëherë komuna e tillë nuk na nevojitet. Personalisht mendoj se te serbët do të funksionojnë ndërgjegjja dhe vetëdija, ashti siç ka ngjarë edhe në referendum dhe se në mënyrë absolute do ta injorojnë një institucion të tillë, i cili nënkupton largimin nga shteti ynë amë që quhet Serbi”, thotë Jaksiq.
Ndërkaq, Milan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb në veri të Kosovës, ka thënë se serbët e kësaj pjese të vendit janë deklaruar me referendum se nuk i pranojnë institucionet e Kosovës dhe kjo vlen edhe për Zyrën Civile Administrative.
Në anën tjetër, shefja e Zyrës Civile Administrative, Adrijana Hoxhiq, i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se një numër i madh i qytetarëve të veriut të Mitrovicës, përfshirë edhe ata të bashkësisë serbe, janë mjaft të interesuar që të bëhen pjesë e kësaj administrate.
Por, disa përfaqësues të serbëve edhe më parë i kanë kërcënuar qytetarët serbë, se nëse do të punësohen në Zyrën Civile Administrative, ata do të ndëshkohen sipas ligjeve të Serbisë.
Por, zyrtarët e Policisë së Kosovës, thonë se janë ndërmarrë masat e sigurisë për Zyrën Civile Administrative. Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se, tash e sa kohë, dy njësi patrulluese të policisë janë prezentë pranë Zyrës Civile Administrative dhe prezenca aty do të vazhdojë.