E Diel, 1 Nëntor 2026

Tumore dhe fruta-monstra në zonat ku varrosen plehrat

Shënim i Shekullit: Kur lexon rreshtat e mëposhtëm, gjëja e parë që të vjen në mendje është: Kur ua kanë bërë këtë mynxyrë, tokës së tyre dhe njerëzve të tyre, thua vallë do të kenë mëshirë për ne shqiptarët?

Artikuj si ky më poshtë gjen me shumicë në median italiane. Artikulli i mëposhtëm është marrë nga Corriere del Mezzogiorno dhe flet për Terzignon në Vezuv të Napolit. Aty janë groposur prej vitesh mbetje me të gjitha letrat në rregull. Por ja që tashmë pemët bëjnë fruta të çuditshme dhe njerëzit po preken në masë nga tumoret. Analizat e plehrave që janë groposur tregojnë se nuk paskan qenë ashtu siç kanë thënë garancitë, letrat dhe vulat e qeveritarëve. Shkrimi flet për agrumet e zonës dhe personazhi kryesor është një limon. Këtë limon që mund ta shihni në foto, u lutemi kolegëve tanë gazetarë që janë më afër qeverisë se ne tia dërgojnë në zyrë edhe kryeministrit tonë shakaxhi që ta çojë për riciklim. Më poshtë, artikulli i Luca Marconi në Corriere del Mezzogiorno:

Nëse ky mund të quhet limon

Nga Luca Marconi

Corriere del Mezzogiorno

VEZUV NAPOLI: Pemët vezuviane në Terzigno po dhurojnë fruta me deformime kaq të mëdha sa, as Francis Bacon nuk do mundej ti pikturonte më mirë. Rezultat i alkimisë së një toke të mbushur me helme, të cilat po ndryshojnë rregullat e natyrës deri në ridizajnimin në volum dhe në formë të produkteve, të cilat rriten të prishura ose me forma dhe shije të panjohura.

Nëse ky është një limon bën retiçencë domethënëse Rosario Esposito, avokate e Komitetit Kundër Hedhjes së Mbetjeve në Terzigno, e cila ka publikuar në internet fotografinë e një limoni të këputur nga pema dy hapa larg shtëpisë së mamasë së saj.

Limoni ngjason me një mollë të sëmurë me fruth ose me një dardhë të prekur nga virusi. Këta limonë me forma të çuditshme me një ekuilibër të tmerrshëm, të bën të mendosh për ata vietnamezët e vegjël të bombarduar me armë me përmbajtje dioksine 40 vjet më parë, të bën të mendosh për Çernobilin, pra për deformime të provokuara nga radioaktiviteti që vjen nga ajo që është groposur nëntokë si mbetje e gjelbër.

Shkruan në blog, përfaqësuesi ligjor i komitetit të Terzigno-s, Esposito: Duke parë këtë agrum që nuk ka as formën dhe as aromën e limonit, të vjen spontanisht në mendje libri i Primo Levi-t. Është prova e padiskutueshme e natyrës që po rebelohet. Ajo nuk pranon kompromise, ajo nuk blihet as me vila dhe as me para. Ajo me shpirt po mundohet që ti mbijetojë armikut të saj, njeriut.

****

Një konferencë urgjente u organizua për këtë problem në sallën e Këshillit të Komunës së Vezuvit. Giuseppe Comella, shefi i Shërbimit Onkologjik në krye të Institutit Kombëtar të Tumoreve në Napoli, ka deklaruar se mjekët po monitorojnë në mënyrë të pavarur patologjitë.

Rezultati? Tumore në rritje të banorëve, sidomos të atyre rezidentë në afërsi të vendit të hedhjes së mbetjeve. Comella premtoi se po mbledhin dhe po i sistemojnë të dhënat në një regjistër të vetëm. Avokatja Vittoria Operato, miraton: Me të dhënat, shpjegon avokatja, është e mundur që të nxjerrim së paku sasinë dhe të kualifikojmë se çfarë po ndodh me njerëzit që bashkëjetojnë në një ambient të helmuar dhe të rrezikshëm për jetën

Më në fund, qytetarët e zonës po mbledhin firma për një denoncim të madh kundër institucioneve qeveritare që kujdesen për mjedisin dhe shëndetin. Bashkëngjitur do jenë analizat nëntokësore të bëra në afërsi të Sarit, protokolluar tashmë që korrikun e shkuar. Puset e mbeturinave që groposen aty janë ndaluar. Megjithëse me të gjitha letrat në rregull, analizat tregojnë se aty ka përqendrime të jashtëzakonshme të metaleve të rënda si dioksina, PCB, kadmiumi, zinku.. Kampionët datojnë në periudhën shtator 2009 -maj 2010. Ngarkesat toksike të zbuluara në zonë janë disa.

Dje janë gjetur gazra helmues në grumbujt e trupave të frigoriferëve të thyer që bashkëjetoninnë heshtje nën rrënjët e lajthive. Lajthitë janë specialitet i këtyre tokave. Një zonë e tërë për shkarkime dhe groposje abuzive të mbetjeve është gjetur në Borgo Mauro, 2 000 metra katrorë hapësirë. U gërmua dhe doli ajo që pritej: mbetje toksike. Pronari, një burrë rreth 46-vjetëve, është denoncuar në gjykatë për aktivitete të paautorizuara në administrimin e mbeturinave.

****

Po limoni i shkretë? Në këtë kohë është në tryezën e një biologu universitar,i cili do të përpiqet për të kuptuar se si dreqin është shndërruar në një përbindësh. Kërkoj falje… Limoni është viktima. Përbindëshat janë njerëzit që na kanë katandisur kështu dhe ata që na qeverisin, që përballë parave dhe vilave, nuk duan më as të kuptojnë e as të shohin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›