E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tumoret në kokë, ndotja e duhani shtojnë të prekurit

Gjatë seminrait të djeshëm të neuro-onkologjisë

Vdekjet nga tumoret në kokë renditen të dytat në shkallën e vdekshmërisë, pas sëmundjeve kardiovaskulare. Çdo vit zbulohen më shumë se 400 raste të reja, ndërsa jetëgjatësia e pacientëve të trajtuar nuk i kalon 5 vjetët. Të dhënat u raportuan dje në seminarin për neuro-onkologjinë, ku mori pjesë, përveç mjekëve të njohur, edhe ambasadorja e Britanisë, Fiona Mclëham. Sipas bluzave të bardha, shqiptarët neglizhojnë në kryerjen e diagnostikimeve. Ata bënë apel për më shumë sensibilizim. Në Shqipëri mungon kultura shëndetësore dhe, sipas mjekes neurologe, kjo është problematike, pasi teknologjia moderne dhe stafet e specializuara nuk mungojnë, tha presidentja e Shoqatës së Neurologjisë, Mira Rakacolli. Ajo shtoi se vdekshmëria llogaritet me ata që jetojnë nën 5 vjet. Faktikisht, nën 5 vjet jeton shumica me tumoret e trurit, tha Rakacolli.
Gjatë seminarit u trajtuan gjerësisht metodat e reja të diagnostikimit të tumoreve në konferencën e parë mbi neuro-onkologjinë në ditët e sotme. Shefi i Pavijonit të Neurokirurgjisë, Mentor Petrela, u kërkoi gjithashtu qytetarëve me shumë kujdes për shëndetin e tyre. Sipas tij, është e domosdoshme të paktën një vizitë në vit te mjeku për ata mbi 40 vjeç. Ndotja e ambientit është një nga faktorët që sot është provuar, dhe këtu futen të gjitha grimcat e ndotjes nga djegia e plastikës, hidrokarburet dhe duhanpirja. Ne si shoqëri duhet të reflektojmë për të marrë masat nëpërmjet edukimit, duke nisur që nga fëmijët, tha Petrela. Sipas tij, diagnostikimi në kohë ul vdekshmërinë dhe rrit cilësinë e jetës së pacientëve. Sa u përket shenjave, ato janë të ndryshme nga një pacient tek tjetri. Shenjat me të cilat prezantohen tumoret janë shumë më të ndryshme dhe shumë më të shpeshta sesa dhimbjet e kokës. Nëse 90 për qind e njerëzve vuajnë nga dhimbjet e kokës, vetëm 10 për qind e tyre e kanë këtë shenjë si pasojë e tumorit. Shenjat më të shpeshta janë ndryshimet e karakterit, krizat epileptike, mpirjet, rëndimet, çrregullimet e ekuilibrit, shikimet dysh, të cilat janë shenjat më specifike neurologjike, tha Mira Rakacolli, presidente e Shoqatës së Neurologëve. Në seminar ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili foli për investimet e rëndësishme në këtë fushë gjatë këtij viti. Për shumë arritje të jashtëzakonshme të shkencës mjekësore, neurologjisë në njërën anë, psikiatrisë në anën tjetër, të neurokirurgjisë, këtij lëmi të madh shkencash, këto përgjigje që jepen atje janë fryt i një sakrifice, e cila nuk ka të paguar, janë dhe përgjigje për këdo që përpiqet të demotivojë klasën mjekësore që përpiqet të thotë gjithçka mundet kundër saj dhe në dëm të pacientëve shqiptarë, tha Vasili.

400 raste
të reja me tumore të kokës zbulohen çdo vit në vendin tonë. Pjesa më e madhe e tyre vijnë në spital në stad të avancuar, çka vështirëson jo vetëm trajtimin, por ul jetëgjatësinë.

Simptomat
Sipas mjekëve pavarësisht nga shkalla e zhvillimit dhe lokalizimit simptomat e tumorit të trurit paraqiten si shenja fokale neurologjike varësish (si paralizë të njëanshme të trupit, paralizë të nervave facial, çrregullime të folurit e të ecjes, humbje të pjesshme të shikimit etj., epilepsi të ndryshme dhe pasojat e rritjes së shtypjes së trurit si: kokëdhembja, vjellja, humbja e vetëdijes deri në komë

Terapitë
Terapia e tumoreve të trurit varet prej vendodhjes madhësisë, prej prejardhjes së tumorit si dhe nga gjendja e përgjithshme e pacientit. Në vend të parë qëndron operimi i tumorit, e ndjekur nga rrezatimi dhe citostatikët. Përveç mënyrës klasike së operimit janë duke u zhvilluar edhe metoda tjera më moderne.

Llojet e tumoreve të trurit
Sipas mjekëve tumoret primare të trurit mund të jenë beninje dhe malinje, por nuk zhvillojnë metastaza në organe tjera. Në të shumtën e rasteve ata zhvillohen nga indi lidhor nervor (glia dhe astrocite), por shpesh edhe nga cipat e trurit-meningjet. Tumoret beninje e shtyjnë indin përreth tyre, por nuk rriten brenda në indin përreth dhe nuk zhvillojnë metastaza. Tumoret malinj rriten duke e infiltruar indin përreth tyre, kjo do të thotë që është e vështirë të gjendet një kufi i mprehtë ndërmjet indit normal dhe tumorit. Pas një operimi të mundshëm mbesin përreth akoma qeliza malinje, të cilat më vonë shumohen dhe krijojnë sërish tumor të trurit (recidiv). Shembull për tumor malinj është glioblastomi, i cili fatkeqësisht është tumori më i shpeshtë në tru deri 50%. Këto tumore përveç operimit kërkojnë edhe trajtim shtesë me rrezatim apo citostatikë.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›