E Diel, 1 Nëntor 2026

Tuneli, firma ndërtuese tjetër kërkesë ministrisë, për mbylljen

TIRANË - Firma ndërtuese e rrugës Durrës-Kukës, Bektel-Enka i ka kërkuar sërish Ministrisë së Transporteve të mbyllë për disa muaj tunelin e Kalimashit, për shkak të probleme të shumta që janë shfaqur. Asfalti në pjesën e tunelit të pa betonuar është pothuajse i shkatërruar dhe po të njëjtën problematikë shqetësuese paraqet dhe muri anësor.

Afro një muaj më parë, firma i kërkoi Ministrisë së Transporteve ta mbyllë për një afat të pacaktuar tunelin në mënyrë që aty të punohej për riparimin e defekteve, por nuk gjeti konsensusin e këtij dikasteri. Madje inxhinierët e firmës propozuan që të ndërtohej një aks që i bie rrotull tunelit në mënyrë që të mos mbyllej totalisht rruga e re Durrës-Kukës. Ministria e Transporteve diktoi firmën që të punonte vetëm natën, pra tuneli të mbyllej nga ora 19:00 deri në orën 07:00.

Por sot, firma përsërit kërkesën për mbylljen përfundimtare të tunelit për shkak të punimeve që kërkojnë mjete të posaçme dhe më shumë se sa orët e natës. Sipas burimeve nga firma, në tunel ka nevojë për përforcime të mureve anësore nëpërmjet betonimit të tyre madje dhe përmirësimin e asfaltit që sipas teknikëve kërkon gërmim të thellë dhe ngjeshje më të madhe të dheut e më pas shtrimin me asfalt. Specialistë që po punojnë në të dyja kahet e tunelit bëjnë të ditur se përpos punëve që mbeten pa përfunduar nga përurimi me urgjencë, mali 'Qafa e Kumbullës' ka nxjerrë probleme të paparashikuara që kanë shkaktuar edhe dëmtime të tjera në tunel.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›