Tunizia, Ben Ali në gjendje kritike për jetën
Ish presidenti tunizian Zine Al Abidine Ben Ali, është në një gjendje kritike për jetën. Agjensia e lajmeve “Reuters”, njofton nga burime shumë të sigurta se Ben Ali ndodhet në një spital në Arabinë Saudite dhe gjendet në kushte shumë të vështira të shëndetit. Ish lideri tunizian 74-vjeçar, u largua nga vendi i tij pas disa ditësh protesta të dhunshme në sheshet kryesore të Tunizisë. Ben Ali ishte i vlerësuar për sigurinë politike që i kishte dhënë vendit dhe rritjen e ekonomike, por ai ishte shumë i kritikuar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike.
Ben Ali erdhi në pushtet në vitin 1987. Ai u rizgjodh si president në vitin 1989 dhe sërish në vitin 1999. Një referendum i vitit 2002, për zgjatjen e mandatit të presidentiti deri në 2014, doli me rezultat 99 përqind. Kjo solli shumë dyshime dhe pakënaqësi në popull.
Ndërkohë që mediat e huaja raportojnë në mënyrë jo zyrtare se edhe ish presidenti egjiptian Hosni Mubarak, ndodhet në një gjendje jo të mirë shëndetësore, duke deklaruar se mund të jetë edhe në koma. Sipas tyre gjatë fjalimit të fundit të tij përpara popullit, Mubarakut kishte rënë disa herë në gjendje të fikti. Dhe pas fjalimit, sipas burimeve jo zyrtare, gjendja e tij ishte përkeqësuar.
Të dy liderat nuk janë shfaqur më në publik që pas dorëheqjes së tyre dhe vendqëndrimi i ish krerëve të shteteve, nuk dihet me siguri, që pas largimit nga vendet e Afrikës Lindore.