Tur diplomatik për Gazën, Blinken takon Erdoanin dhe Micotakisin

Sekretari i Shtetit, Entoni Blinken (o. Antony) takoi të shtunën liderët e Turqisë dhe Greqisë, duke nisur një udhëtim njëjavor që ka për synim uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme pas acarimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Vizita e kryediplomatit amerikan filloi nga Stambolli, ku z. Blinkeni takoi presidentin Tajip Erdoan (o. Tayyip Erdogan), i cili e ka kritikuar fort ndërhyrjen ushtarake të Izraelit në Gazë.
Z. Blinken “theksoi nevojën për të parandaluar përhapjen e konfliktit, për të garantuar lirimin e pengjeve, zgjerimin e ndihmës humanitare dhe zvogëlimin e viktimave civile,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Methju Miller (o. Matthew).
Diplomati amerikan gjithashtu theksoi nevojën për të punuar për paqen në rajon, që duhet të mundësojë sigurinë e Izraelit dhe krijimin e një shteti palestinez.
Me ministrin e Jashtëm, Hakan Fidan, biseda u shtri edhe te procesi që Turqia të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake të NATO-s, njoftoi Ministria e Jashtme e Turqisë.
Z. Blinken udhëtoi pasdite drejt ishullit të Kretës për të takuar kryeministrin grek, Kiriakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis).
Turneu i z. Blinken do të përfshijë shtetet arabe, Izraelin dhe Bregun Perëndimor, ku mesazhi i Uashingtonit do të jetë “mospërshkallëzimi rajonal i konfliktit të Gazës”.
Lufta në Lindjen e Mesme nisi më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 200 pengje.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka lënë mbi 22.500 palestinezë të vrarë, sipas zyrtarëve lokalë, dhe konflikti është përhapur në Bregun Perëndimor, Liban dhe rrugët e transportit në Detin e Kuq.
/rtsh.al/