E Diel, 1 Nëntor 2026

Turi Çiklistik 2026, nis etapa e parë Tiranë-Lezhë

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Nisi sot edicioni i 83-të i Turit Çiklistik, një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive, që bashkon garën sportive me promovimin e bukurive natyrore, historike dhe kulturore shqiptare.

Turi përfshin pesë etapa në qytete të ndryshme të vendit, ku çiklistë nga Shqipëria dhe shtete të tjera garojnë përgjatë itinerareve që kalojnë në zona bregdetare, malore dhe urbane.

Turi nisi sot në orën 12:00 nga sheshi “Skënderbej” për të përfunduar në qytetin e Lezhës.

Pas nisjes nga bulevardi “Zogu i Parë”, itinerari që do të përshkojnë çikilistët shqiptarë dhe ata të huaj është rruga “Dedë Gjo Luli” – rruga “Myslym Shyri” – bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – rruga “Lekë Dukagjini” – rruga “Ibrahim Rugova” – bulevardi “Gjergj Fishta” – Unaza e Madhe – autostrada Tiranë–TEG–Thumanë–Milot–Rrëshen–Reps – kthimi për në Milot – finishi në Lezhë.

Turi Çiklistik i Shqipërisë konsiderohet një aktivitet që nxit frymën e garës, stilin e jetesës së shëndetshme dhe bashkëpunimin sportiv ndërkombëtar.

Përveç aspektit sportiv, eventi pritet të sjellë ndikim pozitiv edhe në sektorin e turizmit dhe ekonomisë lokale, duke tërhequr sportdashës, vizitorë dhe media nga vende të ndryshme.

Autoritetet sportive dhe organizatorët kanë theksuar angazhimin për zhvillimin e një gare sipas standardeve ndërkombëtare, me fokus sigurinë, cilësinë organizative dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën sportive ndërkombëtare.

Policia nga ana e saj ka marrë masat për sigurimin e rrugëve dhe perimetrit të itinerarit në mënyrë që turi të zhvillohet sa më mirë.

Aktiviteti organizohet në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Çiklizmit, Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, si dhe me bashkitë përkatëse.

Nis nga Tirana edicioni i 38 çiklistik i Shqipërisë, foto: Andrin Hoxha 1 nga 12

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›