E Diel, 1 Nëntor 2026

Turistë të huaj në ekspozitën e ATSH-së: Një udhëtim në histori, foto unike që nuk gjenden në internet

TIRANË, 10 maj /ATSH/ Qindra turistë të huaj janë ndalur të vizitojnë me kërshëri ekspozitën e çelur në Kalanë e Tiranës nga Agjencia Telegrafike Shqiptare me temë “ATSH- Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar”.

Gjatë vizitës në ekspozitë, e cila u çel një ditë më parë, të shoqëruar nga stafi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, turistët e huaj shijuan nga afër fotografitë e realizuara ndër vite nga fotografët e të vetmes agjenci zyrtare të lajmeve në vend, e cila përmes fotoreporterëve dhe gazetarëve të saj ka shkruar historinë e lajmit në Shqipëri.

Dy vajza nga Italia u shprehën se ekspozita i kishte mahnitur, pasi aty kishin gjetur jo vetëm fotografi të rralla, por edhe pajisje të vjetra me të cilat përpunoheshin dikur fotografitë në ATSH.

“Kjo ekspozitë është shumë informuese, tregon anë të Tiranës dhe historisë së Shqipërisë që ne nuk i njohim. Ka detaje fantastike, të cilat nuk i gjen as në internet. Edhe makinat për përpunimin e fotove janë mjete që nuk i kemi parë kurrë më parë”, u shprehën vajzat nga Italia.

Një turiste nga Republika Çeke e cilësoi vizitën në ekspozitë si një udhëtim në historinë e Shqipërisë përmes syrit të fotoreporterit. Ndërkohë, një turist nga SHBA, California, vlerësoi modernizimin e Tiranës, ndërsa ekspozitën e cilësoi si një moment emocionues të udhëtimit të tij.

“Kjo është dita ime e parë në Shqipëri dhe u surprizova nga Tirana, bukuria dhe moderniteti i saj. Të shohësh këtë ekspozitë është mjaft emocionuese, është si të udhëtosh në histori dhe është shumë bukur të shohësh, përmes këtyre fotove, ndryshimin që ka pësuar vendi”, u shpreh turisti nga SHBA.

Një çift turistësh nga Italia u shpreh se Tirana ka vende mjaft tërheqëse, ndërsa shtuan se kjo ekspozitë ishte një surprizë e këndshme gjatë vizitës së tyre të dytë në Shqipëri.

“Kjo është hera e dytë në Shqipëri. Kemi parë një Tiranë moderne. Ka vende mjaft tërheqëse, siç është edhe kjo ekspozitë, një surprizë e bukur, të cilën ua sugjerojmë edhe turistëve të tjerë. Këtu flitet mjaft mirë edhe italisht”, thanë ata.

Një çift nga Gjermania thanë se u kishin tërhequr vëmendjen fotografitë që dokumentojnë eksodin e shqiptarëve gjatë viteve ’90.

“Është një ekspozitë shumë interesante. Ka foto nga eksodi i shqiptarëve gjatë viteve ’90, foto të cilat dokumentojnë historinë e Shqipërisë dhe momentet më kritike të saj”, thanë ata.

Ekspozita e hapur nga ATSH në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA) sjell një pasqyrë të plotë të historisë së informacionit në Shqipëri, duke dokumentuar transformimin e lajmit si mjet komunikimi publik, instrument institucional dhe pjesë e kujtesës kombëtare.

Në çeljen e ekspozitës, drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa, vlerësoi se ekspozita është gjithashtu një homazh për njerëzit që e kanë ndërtuar ATSH-në ndër dekada. Ekspozita është edhe një reflektim mbi rolin e informacionit në shoqëri, sfidat e epokës digjitale dhe rëndësinë e institucioneve të besueshme në ndërtimin e së ardhmes.

Nga dokumentet e para të shtypit shqiptar te krijimi i ATSH-së si institucioni qendror i lajmit, ekspozita sjell fragmente të historisë së informacionit në Shqipëri përmes fotografive, dokumenteve dhe dëshmive arkivore që kanë shoqëruar momentet më të rëndësishme të vendit.

Mes materialeve të ekspozuara gjenden marrëveshje historike të ATSH-së me agjenci ndërkombëtare, ligji i shtypit i vitit 1931, dokumente mbi transmetimin e lajmit në periudha lufte, fotografi të gazetarëve në terren, materiale që pasqyrojnë zhvillimin institucional të lajmit ndër vite, si dhe ballina gazetash të botuara gjatë periudhës 1945-1990.

Pjesë e ekspozitës janë gjithashtu makinat e para të transmetimit, fotografitë e dala nga laboratorët bardhezi të ATSH-së, radiostacionet e hershme, buletinet, telegrafët dhe njerëzit që kanë qenë pas lajmit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun edhe në ditët në vijim në ambientet e Kalaja e Tiranës.

Sot, ATSH bashkëpunon me mbi 35 agjenci dhe institucione ndërkombëtare mediatike, përfshirë Agence France-Presse, ANSA, Deutsche Presse-Agentur, EFE, Anadolu Agency dhe Austria Presse Agentur.

ATSH është gjithashtu anëtare e European Newsroom, European Alliance of News Agencies, Alliance of Mediterranean News Agencies dhe Association of Balkan News Agencies – Southeast Europe.

Institucioni disponon një arkiv me mbi 300 mijë fotografi dhe negativë filmikë, që datojnë nga viti 1913 deri më sot, ndërsa procesi i digjitalizimit të tyre vijon.

Eksppozita e ATSH- Foto: Florian Abazaj 1 nga 18

/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›