Turistët nga Gostivari vlerësojnë historinë dhe natyrën e Tepelenës

Në mesin e turistëve që kanë zgjedhur të vizitojnë Tepelenën këto ditë shtatori spikasin Mexhilhane dhe Quf Hasani nga Gostivari.
Çifti maqedonas ka zgjedhur të zbulojë qytetin e pasur me histori dhe natyrë të mrekullueshme, duke e vlerësuar për bukuritë që ofron. Për ta Tepelena është më shumë se një ndalesë turistike; është një udhëtim në kohë dhe natyrë, ku çdo rrugë dhe çdo pamje piktoreske sjell një përvojë të veçantë.
“Është hera e parë që e vizitoj, s’më ka rënë rasti më parë. Më pëlqen natyra, vendi, Kalaja e Tepelenës,” shprehet znj. Hasani.
“Natyra shumë e bukur, pamja magjepsëse të çlodh dhe i ftoj të gjithë të vijnë ta vizitojnë. Të njohim sa më shumë kulturën e njëri-tjetrit,” thotë bashkëshorti i saj.
Vizita e tyre është një dëshmi e tërheqjes që ky qytet ka për turistët nga jashtë, të cilët vijnë të magjepsur nga historia e kalasë së famshme dhe peizazhet e paprekura që e rrethojnë.
Tepelena po shfaqet gjithnjë e më shumë si një destinacion i preferuar për turistët nga rajoni dhe më gjerë, falë harmonisë së saj mes natyrës dhe historisë, që krijon kujtime të paharrueshme për çdo vizitor.
/rtsh.al/