E Martë, 3 Nëntor 2026

Turistet që promovojnë Gjirokastrën, Joke dhe Alexandra po përgatisin një film

Joke dhe Alexandra, nënë e bijë,  nga Hollanda janë duke përgatitur një film me metrazh të shkurtër për qytetin e gurtë të Gjirokastrës . Ato punojnë në mediat Hollandeze dhe në udhëtimin që po bëjnë prej gati dy javësh në Shqipëri kanë përzgjedhur Gjirokastrën si një ndër qytetet më interesante për ta promovuar.

“Unë jam gazetare , punoj në një media në Holandë. Kishim dëgjuar shumë për Shqipërinë , për Gjirokastrën në veçanti ndaj dhe e zgjodhëm në rrugëtimin tonë . Gjirokastra është e mahnitshme po mundohemi të mësojmë për të sa më shumë pasi do e përfshimë në një film me metrazh të shkurtër që po mundohemi të realizojmë”, u shpreh  Alexandra.

“Unë filmoj , mundohem të kap në çdo qytet pamjet më të bukura . Gjirokastra ofron shumë vende për tu vizituar të cilët patjetër që do i përfshimë në këtë material që po përgatisim”, u shpreh  Joke.

Fal këtij promovimi që qytetit të gurtë po i bëhet nga mediat e huaja janë gjithnjë e më tepër turistët që bëhen kurioz dhe e vizitojnë atë nga afër.

“Në film do të flasim për kulturën , historinë , peizazhin e bukur. Ajo çfarë shikoj në këtë qytet janë shumë kujtime lufte kujtime nga periudha e komunizmit të cilat janë shumë interesante”, u shpreh Alexandra.  

“Filmimet që kemi bërë janë shumë interesant, shpresojmë që puna jonë dhe vendi juaj të pëlqehen shumë”, u shpreh Joke.

Janë një numër i lartë turistësh të cilët Gjirokastrën po e vizitojnë pasi janë njohur me të nëpërmjet mediave.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›