Turizmi, Tirana, destinacion tepër i pëlqyer për turistët e huaj
500 turistë të huaj e kanë vizituar kryeqytetin e Shqiptarëve vetëm gjatë muajit Korrik. Sipas specialistëve të turizmit që drejtojnë zyrën e Informacionit, deklarohet se Tirana është një destinacion tepër i pëlqyer për turistët e sidomos për personat që vijnë nga jashtë shtetit për pushime. Por si mund ta gjejnë ata informacionin në këtë metropol. Fare thjesht pranë qendrës së Tiranës ndodhet zyra e informacionit për turistët, e cila pret, sugjeron dhe shpërndan guida falas nga Bashkia e Tiranës. Specialistja e drejtorisë së turizmit dhe promovimit të qytetit, Afërdita Tafa shpjegon se Shqipëria mbetet një destinacion i preferuar për turistët falë edhe çmimeve mjaft konkurruese në rajon. Por Tafa më tej shpjegon se Tirana është një destinacion ku nuk shpenzohet shumë ditë, por mbetet një nga vendet më të pëlqyera për turistët. Rreth 500 persona, le të themi turistë, kanë ardhur dhe kanë kërkuar informacion pranë zyrës sonë. Duhet të theksojmë që nuk janë vetëm të huaj, por edhe shqiptarë që jetojnë jashtë dhe kur kthehen me pushime në Shqipëri duan të eksplorojnë më shumë vendin e tyre. Tirana i ka të gjitha potencialet, dhe jo vetëm Tirana por vetë Shqipëria përbën interes.
Çmimet më të lira në rajon
Sipas specialistes Afërdita Tafa, çmimet fatmirësisht vazhdojmë ti kemi akoma më konkurrentet në rajon, sepse për Shqipërinë vazhdon të jetë një avantazh shumë i madh dhe kjo është deklaruar nga vetë turistët e huaj. Specialistja Tafa thekson gjithashtu faktin se ndryshe nga viti që kaloi, këtë vit tendenca në rritje për të vizituar Tiranën shihet nga vendet skandinave. Ndërsa interes më shumë kanë Shqipërinë e panjohur komuniste por edhe vendet e UNESCO-s. Ne dy kategori ndahen turistët ata që preferojnë malin dhe ata që preferojnë detin. Të dy këta lloj turistësh i kalojnë disa ditë në Tiranë dhe pastaj zhvendosen për në destinacionin e paracaktuar.
Vendet që duhen vizituar në Tiranë
Tiranën zakonisht nuk e shohin si një destinacion ku do shpenzojnë shumë ditë. Por padyshim kryeqyteti i Shqiptarëve është një pikë ku turistët qëndrojnë me dëshirë sapo mbërrijnë në Shqipëri. Tiranën e shohin si një pikë që duhet shikuar sepse është kryeqyteti dhe ka çfarë të eksplorosh në të, ka Muzeun Historik Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve, që ja vlen të vizitohet. Por pastaj varet për çfarë kanë ardhur, disa janë të interesuar për vendet e UNESCO-s, Berat, Gjirokastër dhe Butrint, ka të tjerë që janë të interesuar për plazhet.- ka sqaruar me tej specialistja Tafa. Por pyetja më e shpeshtë pranë kësaj zyre është transporti publik pasi ai është i copëzuar dhe një pjesë e turistëve e shohin si sfidë, kurse disa si argëtim. Ndërsa më shumë problem kanë komunikimin me qytetarët, të cilët sipas tyre e njohin fare pak gjuhën angleze. Por padyshim ata pyesin për sugjerime nga zyra e informacionit e qytetit, çfarë u sugjeron ajo për të shikuar në Tiranë, çfarë ne mendojmë se është e rëndësishme për një turist.-përfundon Tafa.