E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi dhe emigracioni forcojnë lekun

TIRANE- Leku po forcohet ndaj euros si rezultat i të ardhurave nga emigracioni dhe turizmi, por edhe për shkak të rënies së volumit të importeve. Klodiana Xhepa, drejtore e këmbimit valutor në “Credins Bank”, - tha dje se rënia e euros në ditët e fundit lidhet, mbi të gjitha, me faktorë sezonalë, por pjesërisht edhe si rrjedhojë e momentit të vështirë që po kalon monedha e përbashkët europiane në tregjet ndërkombëtare. Sipas Xhepës, parashikimet janë që leku do të qëndrojë i fortë gjatë gjithë stinës së verës, ndërkohë që një ndryshim i kahut të kursit të këmbimit mund të pritet në shtator. Gjatë 30 ditëve të fundit, euro ka humbur dy pikë e gjysmë në kursin e këmbimit ndaj lekut. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të publikuar nga Banka e Shqipërisë, dollari amerikan këmbehej dje në tregjet e kryeqytetit mesatarisht me 98.14 lekë, çka shënonte një rënie të lehtë të vlerës së lekut, krahasuar me një ditë më parë, me 0.23 lekë për dollar. Euro zbriti në kuotën e 139.02 lekëve, me ulje në masën 0.07 lekë për euro nga kursi i të enjtes. Nga ana tjetër, edhe paundi britanik, që u kuotua me 158.18 lekë, u rivlerësua ndaj lekut shqiptar me 0.35 lekë, kurse franga zvicerane, e cila ka shënuar hapa të rëndësishëm rivlerësimi në të gjitha tregjet botërore muajt e fundit, u këmbyer me 119.96 lekë, dukë shënuar ulje me 0.16 lekë për një frang. Zakonisht, në këtë periudhë të vitit rritet kërkesa për lekë shqiptarë në treg nga emigrantët, turistët, po edhe nga familjarë të personave që banojnë e punojnë jashtë vendit.
(GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›