E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hoxhaj i kërkon Egjiptit njohjen e pavarësisë së Kosovës. Jahjaga: Do punojmë për një imazh ndryshe të Kosovës

15-07-2011 / Gazeta 55

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë ditës së sotme priti në një takim një delegacion të shoqërisë civile dhe mediave egjiptiane. Gjatë takimit, ministri Hoxhaj informoi gazetarët për reformat e brendshme dhe rëndësinë e fuqizimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.


Ai tha se marrëdhëniet mes popullit të Kosovës dhe atij të Egjiptit kanë qenë tradicionalisht të mira. “Prandaj njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Egjiptit do të ishte një përmbyllje e ciklit të miqësisë historike mes dy popujve”, është shprehur ministri kosovar.


Ndër të tjera Hoxhaj shtoi se kultivimi i marrëdhënieve të mira mes Republikës së Kosovës dhe Egjiptit është investim në histori dhe në të ardhmen e dy shteteve. Nga ana tjetër kryesuesi i delegacionit të shoqërisë civile dhe mediave egjiptiane, ambasadori Mohamed Fathy Rifaah El Tahataëy ka vlerësuar lartë marrëdhëniet historike mes dy popujve.


Ai siguroi ministrin Hoxhaj se Egjipti shumë shpejt do të marrë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës. “Njohja e Kosovës nga Egjiptit do të vij në një moment të rëndësishëm për Republikën e Kosovës që do ta arsyetojë tërë vonesën e deritashme”, ka paralajmëruar ai.


Jahjaga: Do punojmë për një imazh ndryshe të Kosovës


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga priti në një takim diplomatin britanik Denis MacShane. Që në hyrje të takimit MacShane e përgëzoi Presidenten e Kosovës për punën dhe angazhimin e saj në vend, duke shtuar se Kosova ka shënuar përparime të dukshme dhe se po dëshmohet si një vend i qëndrueshëm.


Ndër të tjera ai theksoi edhe nevojën e shtimit të njohjeve të reja për Kosovën dhe përpjekjeve për t’i arritur ato.


Ndërkaq nga ana e saj, Presidentja Jahjaga, vlerësoi kontributin e MacShane për çështjen së Kosovës, duke e konsideruar atë si një nga miqtë e vendit.


Më tej ajo i bëri të ditur mysafirit të saj se do të krijojë Grupin “Miqtë e Kosovës” pranë Presidentes, ku do të marrin pjesë figurat e shquara ndërkombëtare që do të lobojnë dhe do të punojnë për imazhin e vërtetë të Kosovës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›