E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majlinda Bregu: I rëndësishëm roli i opozitës në procesin e integrimit të vendit

15-07-2011 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ritheksoi sot rëndësinë që ka  roli dhe angazhimi i opozitës në diskutimet dhe nismat për procesin e integrimit evropian. Gjatë seancës informuese në komisionin parlamentar të Integrimit lidhur me planin e veprimit dhe axhendën e takimit të tretë të Këshillit të Stabilizim- Asociimit, që do të mbahet në 19 korrik, mes Qeverisë shqiptare dhe BE, ministrja tha se në këtë takim objekt i diskutimeve është ecuria e reformave dhe angazhimeve të Qeverisë të ndërmarra në kuadër të  MSA-së. Duke u ndalur te kriteri politik, Bregu e cilësoi me rëndësi pjesëmarrjen e opozitës jo vetëm në monitorimin e këtij plani veprimi, por të jetë edhe pjesë përbërëse e të gjitha iniciativave që të mirë funksionojë dialogu politik.
“As përfaqësues të qeverisë apo mazhorancës, nuk mendojnë se opozita është kundër integrimit të vendit në BE. Por opozita ka zgjedhur qasjen më të gabuar kundër integrimit të vendit në BE me një vizion afatshkurtër, duke shpresuar se bllokimi i parlamentit, i dialogut politik mosdhënia e konsensusit për ligje të veçanta dhe mos marrja pjesë në zbatimin e 12 rekomandimeve të KE-së, mund ta sjellë opozitën më shpejt në pushtet”- nënvizoi ministrja e Integrimit.
Ajo vuri në dukje se thirrjet e përsëritura për dialog politik, ftesa për të punuar së bashku si për reformën zgjedhore dhe pjesëmarrjen në procesin e integrimit të vendit, janë axhendë kombëtare.
Lidhur me zhvillimet e fundit pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, ministrja ritheksoi qëndrimin e qeverisë se “respektimi i institucioneve të pavarur dhe funksionimi i institucioneve shqiptare, në bazë të kushtetutës dhe ligjit është taksative për çdo forcë politike”.
Mbledhja e tretë e Këshillit të Stabilizim- Asocimit, i paraprin përgatitjes së Progres Raportit të BE-së për Shqipërinë, që pritet të publikohet në muajin tetor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›