Turizmi malor, oferta më e mirë e verës
Nëse nuk preferoni bregdetin për të pushuar, keni mundësi të pushoni në klimë malore. Vitet e fundit turizmi malor po zhvillohet ndjeshëm dhe janë të shumtë shqiptarët dhe të huajt që preferojnë t’i kalojnë ditët e nxehta të verës në mal, në freskinë e pyjeve.
Thethi dhe RazmaVetëm 70 km larg nga Shkodra ndodhet pika turistike e Thethit. Në këtë zonë janë ngritur rreth 20 shtëpi që presin të verojnë turistë të huaj dhe shqiptarë. Një natë kushton 20-25 euro dhe në çmim përfshihet edhe ushqimi. Ndërsa çmimet e ushqimeve mbeten të lira, njëlloj si në zonën e plazhit të Velipojës, çmimet e artikujve industrialë mbeten të larta, për shkak të kostos së transportit nga Shkodra. Zona turistike e Thethit gjithnjë e më shumë po tërheq turistë nga vende të ndryshme të Europës. Vitin e kaluar kjo pikë turistike u vizitua nga 2500 turistë të huaj.
Ndërkohë, një mikpritje të veçantë ofron dhe zona turistike e Razmës, që ndodhet vetëm 35 km larg qytetit të Shkodrës. Por këtu çmimet janë disi më të shtrenjta, sepse ndryshe nga Thethi, nuk ka turizëm familjar.
Voskopoja dhe DardhaVoskopoja si pikë turistike ka një traditë të pasur historike dhe kulturore dhe mbetet një nga pikat më të frekuentuara për turizmin malor. Karakteristike e vendit është ajri i pastër, klima e shëndetshme dhe uji i freskët dhe kurativ. Në këtë zonë ka shtëpi pushimi dhe hotele të ndryshme. Një pushues mund të akomodohet në shtëpi pushimi, ku çmimi për natë varion nga 1500-2000 lekë, ose në hotel ku çmimet variojnë nga 2500-3000 lekë. Voskopoja ofron dhe vileta për familjarët.
Dardha, 20 kilometra larg nga Korça, është mjaft e freskët gjatë stinës së verës, për shkak të lartësisë mbi nivelin e detit. Dardha ka mjaft shtëpi pushimi me çmime të leverdishme që shkon deri në 1500 lekë nata. Fshati është bërë i famshëm për gatimin tradicional dhe rakinë e kumbullës. Kjo zonë ofron mundësi akomodimi për të gjithë, sepse shtëpitë e pushimit kanë çmime të ulëta. Ndërkohë që ka edhe një hotel alpin, ku çmimet variojnë nga 80-150 euro nata.