OKB heton shkaqet e dhunës
Kombet e Bashkuara po verifikojnë njoftimet që tregojnë se vazhdimi i dhunës etnike në Kirgistan është i orkestruar. Një zëdhënës i OKB-së deklaroi se vrasjet dhe përdhunimet ishin të planifikuara nga ana etnike. "Ne jemi duke marrë njoftime që kjo nuk është aksidentale. Kjo që ka ndodhur ka qenë e orkestruar, me synim dhe e planifikuar. Ne nuk mund ta provojmë këtë në këtë moment, por shenjat janë të tilla, duke e ditur se ky rajon është fuçi baruti", njoftoi zëdhënësi. Uzbekët etnikë thonë se ushtarët kirgizë kishin qëlluar me armë ndaj tyre. Presidenti i rrëzuar, Kurmanbek Bakiyev, ka mohuar të ketë qenë i përfshirë. Nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështjet politike, Lynn Pascoe, thotë se është i nevojshëm një korridor humanitar për të dërguar ushqime dhe për të strehuar ata njerëz që po largohen nga vendi për shkak të dhunës. Zëdhënësi i OKB-së, Rupert Colville, tha se situata ishte e rëndë. "Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar. Janë bërë vrasje pa diskriminim, janë vrarë edhe fëmijë. Janë bërë edhe përdhunime. Të gjitha kanë pasur bazë etnike. Pra është një situatë shumë e rrezikshme", tha zoti Colville. Zyrtarët e Kryqit të Kuq thonë se 95 mijë banorë të etnisë uzbeke janë larguar në Uzbekistanin fqinj gjatë tri ditëve. Kina ka dërguar një avion për të evakuuar shtetasit nga qytetet më të goditura, Osh dhe Xhalalabad.
#