Turizmi në Tepelenë nuk gjeneron fitime, monumentet po shkatërrohen
Tepelenë- Turizmi nuk ndikon aspak në përmirësimin e jetës së banorëve të qytetit të Tepelenës dhe rrethinave të saj, paçka vendi ka qindra monumente të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Duke patur si kryefjalë veprat e Ali Pashë Tepelenës, të cilat kanë jehonë në botën mbarë.
Një nga vendet magjepsëse të jugut të Shqipërisë mesa duket është lënë në harresë dhe jashtë një harte të guidës turistike për tu vizituar dhe admiruar nga të huajt që vizitojnë vendin tonë.
Ndër vite është ndjerë mungesa e investimeve për restaurimin dhe rehabilitimin e monumenteve të kulturës në Tepelenë.
Shtëpia e Ali Pashës në Becisht është pothuajse në gjendje të rrënuar, qyteza antike e Horës ka rënë pre e grabitjeve të shumta, po ashtu edhe pylli i Drilonit ka rënë pre e shkatërrimit përmes prerjes së drurëvetë tij. Kalaja e Tepelenës prej dekadash nuk ka njohur dorën e investimeve.
Barbarizmave si ka shpëtuar as lumi i Vjosës, i cili përpos denoncimeve të fuqishme në media po shfrytëzohet për inerte.
Lekli, qytezë ilire është braktisur, ujësjellësi i Ali Pashës në Bënçë rrezikon shembjen. Po ashtu edhe monumenti natyror Uji i Ftohtë ka rënë pre e ndërtimeve pa leje. Vendasin rrëfejnë se turistët për të mos thënë që nuk ekzistojnë fare, janë kalimtarë të rastësishëm.
Bashkia e këtij qyteti pranon se ndërhyrjet në monumentet e kulturës kanë qenë minimale dhe se ato po zaptohen nga kopetë e bagëtive që kullosin ndër to. Autoritet vendore bëjnë apel për një bashkëpunim më të fortë me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për rigjallërimin e zonës.