E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Sundimi i ligjit është interes i Kosovës

Drejtësia në Kosovë para sfidave të përballjes me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës. Prokuroria heton zyrtarë të lartë

“Prokurorët do ta kenë mbështetjen time të parezervë për zbatimin e përgjegjësive që kanë institucionet e sundimit të ligjit në misionin dhe përgjegjësitë e tyre, kurse politika duhet të jetë jashtë ndikesës në sistemin organeve të akuzës dhe gjyqësor të Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu gjatë një vizite që bëri të premten në Prokurorinë e Shtetit.
Siç thuhet në komunikatën e zyrës për media të Presidencës, gjatë takimit me Ismet Kabashin, kryeprokuror i Shtetit, si dhe me kryeprokurorin e EULEX-it, Johannes Van Vreeswijk, Sejdiu tha se e përkrah plotësisht punën e prokurorisë dhe të sistemit gjyqësor në përgjithësi, në fushën e sundimin e plotë të ligjit dhe zbatimin e përgjegjësive që kanë institucionet e sundimit të ligjit në misionin e tyre.
“Nuk është kohë e largët që unë i kam dekretuar këta njerëz me besim të plotë që do të jenë në nivelin më të lartë të ushtrimit të përgjegjësive që kanë marrë. Po kështu, mund të them se jemi në një proces të thellë të reformës së sistemit gjyqësor dhe akuzës me një përpjekje që të bëhet rekrutimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve në numër të bollshëm dhe të përputhshëm me standardet ndërkombëtare”, tha ai.

Kryeprokurori Kabashi, ndërkaq, tha se e kishte informuar Presidentin e vendit për gjendjen e prokurorive. “Jemi në fazën e konsolidimit me anën e procesit të riemërimit, mbartës i të cilit është Presidenti. E sigurova se prokurorët në të ardhmen do të japin kontributin e tyre për sundimin e ligjit dhe luftimin e të gjitha dukurive negative, të cilat e pengojnë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt Europës”, tha Kabashi.
Duke mos dashur t’i komentojë pyetjet për angazhimet e zyrtarëve të rëndësishëm të Kosovës në luftën kundër korrupsionit, të cilët, sipas Presidentit kanë përgjegjësi të ndihmojnë në pajtim me atë që parashihet me ligj dhe me Kushtetutë, Sejdiu tha se është pjesë e përgjegjësisë së drejtpërdrejtë që sistemi i drejtësisë, respektivisht prokuroria dhe gjyqësori të bëjë punën e vet, meqë askush s’është mbi ligjin.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të EULEX-it, Johannes Van Vreeswijk iu shmang prononcimit para gazetarëve.

EULEX-i kërkon “kokat” e tre ministrave

Ky është titulli i një shkrimi në numrin e djeshëm të së përditshmes “Zëri”. Një valë e re ndryshimesh mund ta godasë qeverinë “Thaçi”, shkruan kjo gazetë. Sipas saj, bëhet fjalë për largimin e tre ministrave të tjerë, dy nga radhët e PDK-së dhe një nga radhët e LDK-së. 
Burime ndërkombëtare në Prishtinë thonë se Kryeministrit Thaçi i është rekomanduar që pas procesit të riformatimit të vazhdojë me reforma, duke u kërkuar fillimisht dorëheqjen edhe tre ministrave të tjerë, të tre nën hetime, për dyshime se janë të përfshirë në korrupsion, krim të organizuar, apo keqpërdorime buxhetore.
Të njëjtat burime kanë saktësuar, se Kryeministri Thaçi e ka të qartë se nëse vetë nuk e sjell situatën që këta tre ministra të largohen nga qeveria, qoftë duke ofruar dorëheqje apo edhe duke i shkarkuar, atëherë mund të përsëriten pamjet e bastisjeve dhe ndërhyrjeve në qeveri nga ana e EULEX-it. 
EULEX-i, sipas burimeve ka rekomanduar që t’i ketë jashtë qeverisë të gjithë ministrat nën hetime, përfshirë edhe stafin e ngushtë të tyre dhe sekretarët e përhershëm, në mënyrë që hetimet të vazhdojnë pa u penguar nga politika. 
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë ka bërë me dije se krahas hetimeve në rastin Limaj, që tashmë janë bërë publike, po zhvillojnë hetime paralele edhe në gjashtë raste të tjera të dyshuara, qoftë ndaj ish-zyrtarëve qeveritarë apo atyre aktualë. Këto raste tubojnë diku mbi 100 persona të dyshuar për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar, shkruan “Zëri”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›