E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divorci i Gore, përse pas kaq vitesh martesë?

Kanë njoftuar befas se nuk do të qëndrojnë bashkë me njëri- tjetrin. Askush nuk çuditet nga vendimi i divorcit, përveç faktit se Al dhe Tipper Gore kishin 40 vjet të martuar

Edhe ju Al e Tipper? Kur statisticienët merren me përllogaritjen e numrit të divorceve në raport me numrin dhe moshën e popullsisë, që në fakt është një përllogaritje e komplikuar, ata nuk i përfshijnë çiftet që kanë mbi 40 vjet martesë. Arsyeja është se këto çifte kanë thuajse një mundësi të barabartë me zero për t’u ndarë, duke qenë se për 40 vjet kanë duruar njëri-tjetrin me të mirat dhe të këqijat e tyre. Nëse një bashkim martesor ka zgjatur për kaq shumë kohë, për më se një gjysmëshekulli, atëherë me siguri që mund të konsiderohet në mos i suksesshëm, të paktën i arrirë. Edhe në rastet ku ka ndonjë divorc, ai është kaq i rrallë sa nuk ia vlen që të bëhet pjesë e statistikave. Në këtë rast, bëhet fjalë vetëm për një përjashtim nga rregulli.

Kjo është arsyeja që kur u njoftua divorci i një çifti shumë të njohur në Shtetet e Bashkuara, çiftit Gore, njerëzit reaguan me ngritje supesh dhe pa dyshim me çudi. Bëhet fjalë për ish- zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kohën e administratës së Klinton-it, Al Gore dhe gruas së tij të deritanishme, Tipper. Pyetja e parë që të gjithë e kishin në majë të gjuhës ishte: po çfarë dreqin ka ndodhur që kanë vendosur të ndahen pas kaq shumë vitesh martese? Bëhet fjalë për katër dhjetëvjeçarë jete të përbashkët, katër fëmijëve që kanë sjellë në jetë, që në fakt përbëjnë sfida jo të vogla edhe për çiftet më të shëndetshëm. Për të mos përmendur sfidën e përballimit të përbashkët të një aksidenti të njërit prej fëmijëve, sfidën e tetë viteve të vështirë politikë në Shtëpinë e Bardhë, sfidat e ndërgjegjësimit të njerëzve për ngrohjen globale dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së mjedisit. Tani, pas kaq shumë problemesh që i kaluan të dy së bashku, ata kanë vendosur që të ndahen, duke i dhënë fund bashkëpunimit martesor. Po çfarë mund të ketë ndodhur? Sipas një psikologu të çështjeve të marrëdhënieve në çift, shpesh, në një martesë, kënaqësia merr fund herët ose vonë dhe kur kjo ndodh, atëherë rishfaqen lëndimet e vjetra të së shkuarës, apo edhe ato më pak të vjetra që kanë qëndruar fshehur falë ndjenjave të tjera që kanë qenë më në qendër të marrëdhënies. Për Gore, të cilët kanë jetuar një jetë shumë të plotë, në dukje, duhet të kenë ekzistuar shumë çështje dhe probleme që janë lënë pas dore për njëfarë kohe, për shkak të problemeve më të rëndësishme për t’u përballuar, por që më pas ato janë shfaqur sërish në një moment qetësie. E në një rast të tillë qëllon që pesha e tyre të bëhet shumë e rëndë për t’u mbajtur nga të dy bashkëshortët, të cilët vendosin që në këtë pikë të mos e mbanin më së bashku barrën. Po sipas ekspertit zakonisht, barra rëndon më shumë për njërin nga partnerët se sa për tjetrin dhe është pikërisht ky që vendos shkëputjen. Një tjetër problem për martesat që kanë zgjatur shumë kohë është ndryshimi. Mbase për Al Gore, dikur super aktiv në politikë ndryshimi i stilit të jetës solli me vete edhe probleme të tjera. Për më tepër tani që edhe fëmijët nuk ishin më në shtëpi. A kishin më të dy, burrë e grua, për çfarë të bisedonin me njëri-tjetrin? Problemi i fëmijëve të rritur, pra i ikjes së tyre dhe i ndryshimit të mënyrës së jetesës, shpesh i vë çiftet në krizë dhe ata duhet që të kenë vullnetin e duhur për ta shndërruar martesën, deri në atë kohë e përqendruar te fëmijët, tek një martesë e përqendruar te partnerët vetë. Por shpesh ndodh që hapësirat e lëna bosh nga fëmijët të mbushen nga të dyja palët me aktivitete të tjera apo me angazhime në punë. Një tjetër problem është fakti se ata ishin një çift publik për shumë kohë dhe kjo nuk është barrë e vogël. Gore nuk e kanë pasur kurrë problem që të shfaqnin shenja afeksioni ndaj njëri-tjetrit edhe në publik, por kur një çift është vazhdimisht në qendër të vëmendjes të të tjerëve, në këtë rast të një kombi të tërë, atëherë mund të jetë i vështirë ndërtimi i besimit dhe komfortit dhe relaksimit në shoqërinë e shoqi-shoqit. Mes tyre ekziston gjithmonë ajo frika e fshehtë, ndoshta subkoshenciale se diku, në një cep është dikush që po i sheh dhe ata “duhet të sillen mirë”. çdo njeri që ka pasur prindër me një martesë të gjatë mbi supe, e di mirë se një bashkim që ka kaq shumë vite, jo gjithmonë ka një pamje të bukur. çiftet kanë hequr dorë prej kohësh nga kujdesi për njëri-tjetrin dhe kjo i bën që në pamjen e jashtme të jenë problematikë. Në çifte të tjerë, karakteret e të dyve janë të shkrirë te njëri-tjetri sa është e vështirë të kuptosh dallimet individuale. Karakteri më i fortë ka asimiluar atë më pak të fortë dhe kështu burrë e grua mund të jenë shndërruar në një qenie të vetme që ndonjëherë mund të jetë pozitive e në raste të tjera jo. Ka edhe raste kur çiftet vënë në dukje, në mënyrë të vazhdueshme, të shkuarën dhe problemet që kanë pasur dhe tensioni ndihet në çdo lloj bisede dhe marrëdhënieje mes tyre dhe me të tjerët. Për sa i përket Gore, që kanë kaluar 40 vjet bashkë, arsyet e ndarjes mund të jenë specifike, por edhe krejt normale për situatën e tyre.

Tashmë ata nuk kanë ndonjë sfidë të përbashkët për të ndërmarrë, nuk kanë ndonjë pengesë të përbashkët për të kapërcyer, jo më armiq të përbashkët për të luftuar dhe në kohën me shumicë që kanë për të kaluar me njëri-tjetrin e gjejnë veten bosh dhe të pamotivuar. Ose mund të jetë edhe arsyeja që gjatë viteve dhe për më tepër gjatë zhvillimit të karrierave të ndryshme, ata ndërkohë kanë ndryshuar dhe janë larguar nga njëri-tjetri pa e vënë re dhe tani e kanë të pamundur që të vendosin më ura lidhjeje. Por mund të jetë edhe një arsye tjetër. Për vite me radhë, për shkaqe dhe arsye nga më të ndryshmet politike, apo familjare, ata janë shtirur se kanë qenë me të vërtetë një çift model dhe i dashuruar me njëri-tjetrin, ndërkohë që e vërteta mund të ketë qenë ndryshe. Më në fund, larg reflektorëve të dritës së pushtetit dhe vëmendjes së publikut, mund të kenë vendosur të mos shtiren më dhe të pranojnë se nuk e kanë pëlqyer kurrë njëri-tjetrin, siç kanë pretenduar për vite e vite me radhë veçanërisht gjatë fushatave.

çdo martesë është një mister i vogël. Se çfarë me të vërtetë u ka ndodhur Gore, pa dyshim që do të dalë në dritë javëve, apo muajve të ardhshëm, por ndërkohë po t’i hedhim një sy disa prej martesave të njerëzve më të famshëm të Amerikës, ajo që ishte më e përfolura dhe e përfshirë nga një skandal, vazhdon të qëndrojë ende në këmbë. E kuptuat besoj se bëhet fjalë për Klinton-ët.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›