Turqia favorizon miratimin e kërkesës së Finlandës për në NATO, përpara asaj të Suedisë

Turqia mund të ndezë dritën e gjelbër për anëtarësimin e Finlandës në NATO, përpara Suedisë, nëse aleanca ushtarake dhe të 2 vendet nordike bien dakord. Kështu deklaroi sot ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
Por ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haaivisto, hodhi poshtë këtë qëndrim, duke thënë se ishte e rëndësishme që Finlanda dhe Suedia të anëtarësohen në NATO në të njëjtën kohë.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, e përkufizoi aplikimin e Finlandës si “më pak problematik” sesa ai i Suedisë.
Turqia akuzon Stokholmin se nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të goditur grupet që Ankaraja i konsideron si terroriste.
Kohët e fundit, Turqia është indinjuar edhe nga protestat për djegien e Kuranit, që u organizuan jashtë ambasadave turke në Stokholm dhe Kopenhangen nga një aktivist anti-islam që ka nënshtetësi suedeze dhe daneze.
“Sipas mendimit tim, nuk do të ishte e drejtë të bëhej dallimi midis vendit problematik dhe vendit më pak problematik,”- u tha Cavusoglu gazetarëve gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij portugez.
“Ne besojmë se nëse NATO dhe këto vende marrin një vendim të tillë, ne mund ta vlerësojmë (ofertën e Finlandës) veçmas”- shtoi ai.
Suedia dhe Finlanda aplikuan së bashku për t’u bërë anëtarë të aleancës ushtarake, duke hequr dorë nga mosangazhimi i tyre i gjatë ushtarak, pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
NATO kërkon miratim unanim për të pranuar anëtarë të rinj. Turqia dhe Hungaria kanë vonuar procesin e ratifikimit të kërkesave suedeze dhe finlandeze në parlamentin e tyre. Apnews
/rtsh.al/