Çfarë do të përmbajë formulari A2
Menjëherë pas publikimit të rezultateve të provimeve me zgjedhje, maturantët do të kenë në duar formularin A2, ku do të përcaktojnë degët e tyre të preferuara. Edhe pse kanë zhvilluar të gjitha provimet e Maturës Shtetërore, ata janë ende në ankth për rezultatin final. Kjo do të thotë që ata do të qetësohen vetëm pasi të kenë lexuar emrin në njërin prej fakulteteve të përzgjedhura, sipas parimit meritë-preferencë.
Këtë do ta përcaktojë vetëm plotësimi i formularit A2, i cili ka të përcaktuara saktësisht 10 degët e universiteteve të Tiranës. Ai pritet të shpërndahet, pas datës 15 korrik, në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se nuk ka ende një datë të saktë për ditën kur do të bëhet plotësimi i tij. Bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, pritet që publikimi i rezultateve të provimeve me zgjedhje të bëhet më datë 15 korrik.
Plotësimi i formularitNë kuadër të kësaj, drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu, sqaroi se shpërndarja dhe plotësimi i formularit A2 do të bëhet fill pas kësaj date. Sipas tij, formulari do të jetë i personalizuar për secilin nxënës, pra nuk do të ketë mundësi paraprake për ta shqyrtuar atë. Ditën kur do të njoftohet se do të bëhet plotësimi i formularit, çdo maturant do të pajiset me fotokopjen e tij, dhe do të ketë në dispozicion plot 30 minuta për të bërë plotësimin, pa u larguar në asnjë moment nga ambientet e shkollës.
Edhe për këtë vit formulari A2 do të jetë i njëjtë. Në të do të jenë të përcaktuara qartë 10 degët e universiteteve të Tiranës. Më pas do të jetë vetë kandidati për student, ai që do të bëjë zgjedhjen e degëve, sipas parimit meritë-preferencë. Para se të plotësojnë formularin, nxënësit do të vihen në dijeni për limitet e pikëve që parashikon secili fakultet. Kjo do t’u shërbejë atyre si një parapërgatitje për të bërë më pas të gjitha llogaritë e mundshme, pa u gabuar në zgjedhjen që do të bëjnë. Në rast se në ndonjë formular do të konstatohen shënime apo parregullsi, ai do të dalë jashtë funksionit, duke mos u dhënë më maturantëve një mundësi të dytë.
Sistemi i matjes së pikëveTabelat që do të shpërndahen në shkolla kanë të cilësuara kufijtë e pikëve për secilin fakultet në veçanti. Për çdo vit, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, në varësi të kërkesave të maturantëve ka rritur me 100-500 pikë limitin për degë specifike. Vetë nxënësit do të kenë mundësi që nëpërmjet një përllogaritjeje të dallojnë se cilat degë mund të jenë të kapshme për ta, ose jo. “Kjo procedurë do t’ua lehtësojë zgjedhjen nxënësve, sepse duke ditur mesataren e katër viteve të shkollës, koeficientin si edhe notat me të cilat është vlerësuar në provimet e Maturës Shtetërore, ata do të kenë mundësi të konstatojnë nëse dega që preferojnë është ose jo e mundshme për të”, sqaroi Vejsiu.
Sipas tij, nëpërmjet kësaj praktike pune, ai do të ketë shumë pak mundësi për të gabuar.