Ministria e Jashtme, një tjetër në pranga
Një tjetër punonjës i Ministrisë së Jashtme është vënë në prangat e policisë. Ende pa u shuar jehona e arrestimit për trafik droge i një zyrtari të kësaj ministrie, sekretarit Almir Rrapo, një tjetër përfshihet në një ngjarje me karakter kriminal, ndonëse në mbrojtje të pronës së cenuar. Këtë herë, akuzat janë “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengimi i mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Goditja për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim”. Edmir Osmanaj është një nga të arrestuarit e policisë pas ngjarjes së Hamallajt, ku banorët i bënë rezistencë të dhunshme aksionit të Inspektoratit Ndërtimor për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet. Pavarësisht mbrojtjes së pronës dhe daljes hapur kundër skemës qeveritare, që cenon banorët për të favorizuar familje dhe grupe të caktuara për investime në Hamallaj-Hidrovor të Durrësit, imazhi që përcillet është tejet i rëndë për ministrinë dhe të punësuarit e saj, por edhe për shtetin në përgjithësi.
Nuk janë këto dy rastet e vetme kur punonjës të kësaj ministrie bëhen pjesë e arrestimeve brenda dhe jashtë vendit, ndërsa shfrytëzojnë detyrën dhe favoret që rrjedhin prej saj. Ndryshe nga të arrestuar të tjerë që u lanë në burg me afat ose dhe të lirë me detyrim për paraqitje, 32-vjeçari Edmir Osmanaj u la nga gjykata në burg pa afat deri në përfundim të hetimeve për shkak se dyshohet për rolin aktiv në përleshjet me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ngjarje që ndodhi mëngjesin e së enjtes së kaluar. Ai u la në burg së bashku me Alfred Kukajn dhe Mentor çekrezin, të tre banorë të zonës dhe që dolën në mbrojtje të ndërtimeve të tyre. Ndërkaq për gjashtë të tjerët, gjykata vendosi masa më të buta sigurie. Gjatë seancës gjyqësore për vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurisë, Osmanaj dhe avokati mbrojtës i tij deklaruan se ai është punonjës i Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik në Tiranë, drejtori që është në varësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe se kjo duhej të merrej parasysh nga gjykata në caktimin e masës. Ky fakt nuk ndikoi te gjyqtari i seancës, Rexhep Bekteshi, i cili vlerësoi si të bazuar në provat paraprake kërkesën e prokurorit të çështjes Vladimir Mara dhe e la në burg pa afat. Ndërkaq shqetësuese ka qenë situata dhe në vendin e tij të punës, ku është shpresuar se gjithçka do të zgjidhej pa shumë zhurmë. Edhe në profilin në “Facebook” (një nga rrjetet më të mëdha sociale në internet) të Osmanajt përfshihet vendi i punësimit të tij.
Ndërkaq, ditën e hënë janë zhvilluar dhe seancat gjyqësore për vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të arrestuarve të tjerë të Policisë së Durrësit për ngjarjen e Hamallajt. Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtari Bekteshi vendosi të lërë të lirë në sallën e gjyqit me detyrim paraqitjeje pranë organit të policisë gjyqësore një nga tre vëllezërit Rustemaj, 55-vjeçarin Avni Rustemaj me banim në Sukth, ndërsa la në burg me afat dhjetëditor efektivin e policisë së burgjeve, shtetasin Azem Hasanpapaj, 34 vjeç.
#