Fotografi nga ajri
Alket Islami ka nisur të zbatojë projektin për fotografimin nga ajri të monumenteve të kulturës shqiptare për realizimin e albumit “Shqipëria nga ajri 4”. Hapi i parë ka nisur nga Lugina e Drinos në Gjirokastër, një nga territoret më të pasura me monumente në Shqipëri
Njeriu fluturues, sportisti dhe artisti Alket Islami, ka filluar punën për realizimin e një prej projekteve të tij më ambicioz, fotografimim e monumenteve të kulturës shqiptare nga ajri, projekt që ka nisur së pari me një udhëtim ajror mbi monumentet antike të Parkut Arkeologjik të Antigonesë, një perlë në gjerdanin e monumenteve antike shqiptare dhe që do të finalizohet me botimin në kuadrin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë të vëllimit të katërt të serisë së albumeve “Shqipëria nga ajri”. Duke gjetur në këtë iniciativë të tij edhe angazhimin maksimal, informues dhe teknik të të gjitha institucioneve të trashëgimisë kulturore, të cilat i kanë vënë në dispozicion krejt informacionin e nevojshëm për fotografimin dhe realizimin e albumit “Albania from dhe air 4”, ku janë të fokus monumentet e kulturës dhe sitet arkeologjike, Islami ka nisur këtë javë ekspeditën e parë në terren. E për këtë ka zgjedhur Luginën e Drinos në Gjirokastër, një nga territoret më të pasura me monumente në Shqipëri. “Në mënyrë simbolike e nisa serinë e ekspeditave të mia të fluturimit nga ajri për fotografimin e monumenteve nga qyteti antik i Antigonesë, kjo edhe sepse nga informacioni që kam, ky qytet është një nga perlat e antikitetit me një histori, urbanistikë, arkitekturë dhe objekte arkeologjike të zbuluara nga më interesantet dhe të bukurat”, thotë Islami. Fotografi e nisi punën me një bashkëpunim të ngushtë më drejtuesit dhe ekspertët e zyrës së parkut, duke përcaktuar radhën dhe pikat e fotografimit të monumenteve brenda Parkut të Antigonesë, pastrimin e vegjetacionit nga rrënojat dhe zbulimin e mozaikut në Bazilikën Paleokristiane të këtij parku për të realizuar një fotografim vertikal të tij, foto e cila nuk do të shërbejë vetëm për albumin e ardhshëm, por edhe për realizimin nga ekspertët e Institutit të Monumenteve të Kulturës të një projekti restaurues dhe konservues të këtij mozaiku të rrallë. “Për mua është kënaqësi dhe shumë interesante që qysh në ekspeditat e para, gjeta një frymë bashkëpunimi me drejtorin e Monumenteve të Kulturës, Spartak Drasa, dhe drejtorin e ZAKPAA Engjëllush Serjani, të cilët jo vetëm u bënë pjesë e pandarë e ekspeditës, por kontribuuan që të organizohen sa më mirë kampingjet gjatë fotografimit, organizim i cili krijon mundësi të shfrytëzohet çdo moment i ndryshimit të motit për fotografimin sa më të mirë të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike në zonën e Luginës së Drinos”, tha ai. Gjatë dhjetë ditëve të para të ekspeditës, fotografi fluturues Alket Islami ka mundur të realizojë mijëra fotografime në monumentet e Parkut të Antigonesë, në pjesën historike të qytetit muze të Gjirokastrës, në qytetin e Libohovës, në qytetin antik të Hadrianopolit, në Teqen e Melanit etj. “Për shkak të motit me reshje dhe erë të vazhdueshme puna, për t’u ngritur në ajër ka qenë e vështirë dhe ndonjëherë krejt e pamundur, por pavarësisht nga këto, jam tepër i kënaqur pasi fotografitë që kam mundur të realizoj deri tani, mandej pikërisht edhe për shkak të “larjes” së atmosferës nga reshjet, kanë qenë mjaft kualitative dhe të denja për t’u përfshirë në albumin e ardhshëm”, thotë artisti dhe sportisti Alket Islami. Realizimi i albumit të katërt me foto nga monumentet e kulturës, sipas Alketit parashikohet të jetë nga pikëpamja teknike edhe më cilësor nga botimet e mëparshme, pasi ai do t’u shërbejë vetë institucioneve të trashëgimisë dhe turizmit për promovimin e këtyre vlerave të potencialin arkeologjik, kështjellave, kishave, manastireve, teqeve dhe xhamive të vjetra, shtëpi monument të Gjirokastrës dhe Beratit, etj. Përmes këtyre fotografive nga ajri, në këtë album që është duke përgatitur, Alket Islami thotë se do të risillet historia dhe lashtësia, retrospektiva e shekujve, jeta e brezave dhe këto jo vetëm që ngjallin emocione, por japin edhe një informacion të bollshëm pasi një pjesë e madhe e këtyre monumenteve ndodhen edhe në zona të thella dhe të largëta për t’u shkelur. Islami shprehet i gatshëm që të shkojë në çdo rreth të vendit për të qëndruar aty, të organizuar në formë kampingjesh për t’u ndodhur më pranë njerëzve dhe monumenteve të kulturës. Gjatë gjithë udhëtimit fluturues për realizimin e fotografive në Antigone dhe Gjirokastër, nga organizatori i ekspeditës Islami janë realizuar edhe pamje filmike, të cilat do të shërbejnë për përgatitjen e një filmi dokumentar televiziv nga “Top Channel”.