E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia feste e dhurata per 300 femije

Kreu i bashkisë uron shtresat në nevojë: Në shtëpinë tuaj të keni më shumë gëzim dhe më pak mundime

Bashkia e Tiranës u ka dhuruar një atmosferë festive 300 fëmijëve në nevojë, të cilët marrin shërbime në qendrat ditore publike dhe jopublike të qytetit. Aktiviteti u organizua në formën e një shfaqjeje artistike. Si shprehje e politikave të përkujdesit cilësor për fëmijët në nevojë, Bashkia e Tiranës ka shpërndarë dhurata për të gjithë fëmijët pjesëmarrës në festë dhe në nevojë të qytetit të Tiranës. Fëmijët që frekuentojnë këto qendra sociale vijnë nga familje me probleme sociale që kryesisht lidhen me: edukimin, shëndetin, shfrytëzimin e fëmijëve, kushtet e vështira të jetesës në familje. Shpesh këta fëmijë janë të privuar nga plotësimi adekuat i nevojave të përditshme. Aktiviteti i organizuar në formën e një shfaqje artistike, mundësoi krijimin e një atmosfere festive, kreative e plot imagjinatë mes fëmijëve. Gjatë shfaqjes u performuan numra artistikë nga animatorë e klounë profesionistë, nga vetë fëmijët, të cilët përshëndetën njëri-tjetrin me pjesë të ndryshme artistike, si dhe vizatimet facepainting, lojërat interaktive, kërcime, konkurse ku u përfshinë të gjithë pjesëmarrësit. “Jam shumë i kënaqur që u takuam prapë.

Me disa nga ju, jemi takuar edhe më parë, jemi takuar edhe në aktivitetet që bashkia ka organizuar për t’iu ndihmuar, argëtuar, për t’iu lehtësuar dhe unë jam shumë i kënaqur që shumë nga ju, falë miqësisë me bashkinë dhe falë dashurisë sonë reciproke, kanë mundur të shkojnë në shkollë, kanë mundur të mësojnë, kanë mundur që të kenë një jetë shumë më të mirë se sa jeta e rrugës, nga ku ne dëshirojmë që t’i heqim të gjithë fëmijët, të gjithë ata që për njëmijë e një arsye janë të detyruar, jo për dëshirë, por shpeshherë të shtyrë edhe nga të tjerët që gjenden në rrugë. Unë uroj që ëndrrat tuaja të bëhen të mundura dhe uroj që në shtëpinë tuaj të keni më shumë gëzim dhe më pak mundime. Ju uroj Gëzuar, gëzuar të gjithë fëmijëve të Tiranës e të gjithë Shqipërisë”, uroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›