Turqia nuk është gati të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dha shenja të hënën se vendi i tij nuk është gati që të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO. Sipas tij, Stokholmi duhej të punonte më shumë për “detyrat e shtëpisë” që duhej të plotësonte.
Duke folur pas një takimi të kabinetit, Erdogan dënoi sërish protestën për djegien e Kuranit që u zhvillua në Suedi javën e kaluar, duke e përshkruar veprimin si “një krim urrejtjeje kundër muslimanëve”.
“Ne e kemi bërë të qartë se lufta e vendosur kundër organizatave terroriste dhe islamofobisë janë vija jonë e kuqe”,- tha Erdogan. “Të gjithë duhet të pranojnë se miqësia e Turqisë nuk mund të fitohet duke mbështetur terrorizmin apo duke u lënë hapësirë terroristëve.”
Turqia ka vonuar dhënien e miratimit përfundimtar për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake, duke e akuzuar vendin se është shumë i butë ndaj demonstratave dhe grupeve anti-islamike që Ankaraja i konsideron si “kërcënime sigurie”.
Këto përfshijnë edhe grupet militante kurde që kanë zhvilluar një kryengritje vdekjeprurëse me dekada në Turqi. Apnews
/rtsh.al/