E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Ukrainë në zonat e kontrolluara nga Rusia, Moska: Nëse përkeqësohet situata, procesi anulohet

Drejtuesja e institucionit zgjedhor në Rusi, Ella Panfilova ka deklaruar se nëse situata në zonat e kontrolluara nga Kremlini në Ukrainë përkeqësohet për shkak të luftës, atëherë zgjedhjet lokale të planifikuara më 6 shtator mund të anulohen.

“Nëse lindin rrethana të paparashikuara – në disa zona situata mund të përkeqësohet në mënyrë dramatike – dhe ne shohim se ekziston një rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e banorëve, atëherë ne kemi të drejtë t’i shtyjmë këto zgjedhje. 

Ne sigurisht që do ta përdorim këtë të drejtë nëse ka arsye serioze për të”, i tha Panfilova presidentit rus Vladimir Putin gjatë një takimi në Kremlin.

Rusia kontrollon pak më pak se një të pestën e Ukrainës. Këto territore përbëhen nga Krimea, të cilën e aneksoi në vitin 2014, dhe pjesë të katër rajoneve të tjera juglindore që trupat ruse kanë marrë nën kontroll që nga fillimi i luftës në shkurt 2022.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›