E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia thirr mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit

Nënsekretari i ministrisë së Jashtme turke, Salim Jenel, i tha Radios Evropa e Lirë se Ankaraja po e tërheq ambasadorin e saj nga Izraeli, dhe ka bërë thirrje për mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit.

Jenel tha se ambasadori izraelit është paralajmëruar për “dëmtim të pakthyeshëm” të marrëdhënieve dypalëshe.

Ai i hodhi poshtë pohimet e Izraelit se anijet humanitare turke, të cilat ishin inspektuar nga një vend i NATO-s, mund të kenë trafikuar armë.

“Kjo ndodhi në ujërat ndërkombëtare, dhe kjo ishte shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar. Ne e ftuam ambasadorin e Izraelit këtu. Ne thamë se kjo ishte shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar sepse ky ishte konvoj që mbante vetëm mallra humanitare. Ishte një iniciativë paqësore, dhe është e papranueshme”, tha Jenel.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon tha se ai është “i shokuar” nga sulmi. Ndërkohë, dhjetëra mijë demonstrantë protestuan në rrugët e Stambollit.

Greqia u tërhoq nga stërvitjet ushtarake me Izraelin, dhe e anuloi vizitën në Athinë të ushtarakëve të lartë izraelitë.

Lëvizja Islamiste, Hamas u bëri thirrje myslimanëve që të protestojnë para ambasadave izraelite në botë.

Në Bruksel, ambasadorët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian sot mbajnë mbledhje të jashtëzakonshme, ndërsa kryediplomatja Catherine Ashton i kërkoi Izraelit “hetime të plota”.

Izraeli thotë se konvoji ishte i lidhur me terroristët

Komandot izraelite ndërhynë sot në një konvoj me anije humanitare, që përpiqej të shkelë bllokadën katërvjetore në Rripin e Gazës, duke vrarë më shumë se 10 aktivistë propalestinezë.

Komandot hipën në anijen më të madhe, ku u përleshën me disa qindra njerëz në bord. Operacioni raportohet se u krye 65 km larg brigjeve në ujërat ndërkombëtare.

Ndërkohë, mediat izraelite raportuan se të paktën 19 aktivistë janë vrarë në operacionin.

Qeveria izraelite e mbrojti aksionin, duke thënë se komandot ishin sulmuar me “zjarr”, si dhe me thika dhe objekte të mprehta.

Zëvendës ministri i Jashtëm, Dani Ajalon, tha se organizatorët e konvojit kishin lidhje me terrorizmin ndërkombëtar.

“Armada e urrejtjes dhe dhunës që mbështet organizatën terroriste të Hamasit ishte provokim i paramenduar. Organizatorët njihen mirë për lidhjet e tyre me xhihadin botëror, Al Kaidën dhe Hamasin. Ato kanë një histori të trafikimit të armëve dhe terrorit vdekjeprurës”, tha Ajalon. /rel/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›